Shala ka premtuar se do të japin gjithçka të hënën në “Fadil Vokrri” për t’i ndalur tri pikët në shtëpi.
Kosova ka përfunduar përgatitjet para përballjes së madhe të hënën në “Fadil Vokrri”.
“Dardanët” do të kenë punë me Malin e Zi për të mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin Evropian.
Herolind Shala, që pasi mungoi në shtator pritet të jetë titullar të hënën – u ka premtuar tifozëve se do të japin maksimumin në “Fadil Vokrri” për të arritur fitore.
“Përgatitjet kanë shkuar mirë para ndeshjes ndaj Malit të Zi. Jemi gatshëm të japim gjithçka nga vetja për t’iu bërë të lumtur. Jemi Kosova, jemi Dardanët”, ka shkruar ai në Facebook.
Kombëtarja e Kosovës do të presë Malin e Zi sonte në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë dhe çfarëdo rezultati përveç fitores nënkupton se verdhekaltrit rrezikojnë të mbesin jashtë garës për kualifikim në Euro 2020.
Kosova po shpresonte se me një fitore eventuale kundër malazezëve në shtëpi, do të ngrihej në pozitën e dytë me dy pikë mbi rivalin e drejtpërdrejt për këtë vend, Republikën e Çekisë – të fundit që dërgon në Euro përmes kualifikimeve – por gjërat ndryshuan pas fitores së papritur të çekëve kundër lideres së Grupit A, Anglisë, të premten në Pragë.
Kjo nënkupton se tani verdhekaltërve u duhet fitorja për t’iu afruar Çekisë në vetëm një pikë para duelit të drejtpërdrejt në xhiron e ardhshme në Pragë.
Shumica e kompanive të basteve e shohin Kombëtaren dardane si favorite të madhe, duke ditur rëndësinë e kësaj ndeshje dhe terren në të cilin luhet.
Me vetëm tri pikë dhe pa asnjë fitore në vendin e parafundit në Grupin A kualifikues, Mali i Zi i ka humbur gjasat për kualifikim, ndërkohë që Kosova, e treta me katër pikë më pak se vendi i dytë, Republika e Çekisë, por me një lojë në dispozicion për ta zhvilluar, është ende në garë për t’u kualifikuar.