Prençi: Ata që mbollën palmat të merren të pandehur

Shirat e rrëmbyeshëm kanë sjellë bllokimin dhe mbylljen e autostradës Tiranë-Durrës, ngjarje kjo që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Por çfarë e ka rënduar situatën në këtë autostradë? Pas mbjelljes së palmave ekzotike, projekt shumë i dashur dhe i monitoruar personalisht nga kryeministri Edi Rama, kanalet kulluese në të dyja anët e autostradës janë ngushtuar, si pasojë funksionimi i kësaj autostrade në kushte të rënduara të motit, duket se është bërë i pamundur.
Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, në nëntor të vitit 2015, kur pak reshje shiu krijuan një situatë të vështirë për qarkullimin e mjeteve në autostradë, fajësoi mbjelljen e palmave dhe bëri thirrje që inxhinierët që kishin lejuar mbjelljen e palmave dhe ngushtimin e kanaleve kulluese, të merreshin të pandehur. Ja çfarë thoshte Premçi në nëntor të vitit 2015:
“Niveli i kanalit në të dyja anët e autostradës është ngushtuar dhe është cektuar, nuk është studiuar mirë niveli i prurjeve. Në një projekt shtetëror ku merren mijëra euro nuk duhet të pyetet drejtori i Emergjencave, ai mund të pyetej më parë. Segmenti nga ura e Kasharit deri te kthesa e Kamzës është rikonstruktuar por nuk është ruajtur thellësia e kanaleve kulluese e cila duhet të ishte ruajtur patjetër. Ky kanal si mund të bëhet më i cekët? Duhet të ishte bërë më i thellë, të lidhej më Lanën. Është gabim inxhinierik. Për mua inxhinerët duhet të pyeten, të merren në pyetje nga prokuroria, madje duhet të hetohen sepse ne nuk kemi nevojë për rrugë të bukura por për rrugë funksionale”
Kreu i emergjencave civile, fajësonte me të drejtë inxhinierët të cilët kanë zbatuar këtë projekt, por ai nuk shkonte më tutje tek urdhëruesi i projketit, zoti Edi Rama, i cili në vrapimin e marrë për ta kthyer autostradën në një vend ekzotik pas frymëzimit nga udhëtimet në vende si Qatari, ka sjellë këtë situatë kaq dramatike, ku reshjet bllokojnë autostradën kryesore të vendit.

Sa janë dëmet nga përmbytjet në autostradë?

Banorët dhe pronarët e bizneseve përgjatë autostradës Tiranë-Durrës u përfshin dje në debate me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, kur ky i fundit shkoi të shikojë gjendjen katastrofale që ka lënë pas përmbytja e mbrëmjes së djeshme. Banorët dhe biznesmenët u ankuan se qeveria nuk kishte marrë asnjë masë për të shmangur përmbytjen, ndonëse ajo ishte paralajmëruar. Vitin e kaluar kjo autostradë u përballë me përmbytjen e parë, të pazakontë, që shkaktoi mbi 10 milionë euro demë në 30 biznese.Pronarët iu drejtuan në atë kohë me një letër kryeministrit Edi Rama, ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, ish-ministrit të Transporteve, Sokol Dervishaj, kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe shumë zyrtarëve të tjerë ku bëhej i qartë dëmi i shkaktuar. Kanalet nën autostradë, thanë një vit më parë sipërmarrësit, janë të bllokuara apo dhe të zaptuara, ndërsa dhe mbjellja e palmave në zonën Kashar-Laprakë është shoqëruar me ngushtim të kanaleve kulluese. Këta faktorë janë kombinuar me bllokimin e përroit të Limuthit, por dhe me hapjen e dyshuar të rezervuarëve të liqeneve Gjokaj, Kashar dhe Picar. E në këtë situatë, asnjë prej ministrive dhe institucioneve në varësi nuk mbante përgjegjësi, duke e kaluar fajin te njëra-tjetra. Ndërkohë, përmbytja e djeshme ishte edhe më e madhe se ajo e një viti më parë, duke dëshmuar dështimin e qeverisë dhe bashkisë për të gjetur një zgjidhje për bizneset dhe banesat e kësaj zone. Deri më sot, asnjë përpjekje nuk është bërë, përveç planit për të zëvendësuar palmat në anë të autostradës me pisha.

Artikulli paraprakMziu mbledh Emergjencat Civile të Bashkisë: Prioritet jetët njerëzore
Artikulli tjetërFamilja nga Fushë-Kruja: Jemi të bllokuar nga uji, nuk na evakuojnë