Prenotohet Donaruma

Xhanluixhi Donaruma me shumë gjasa do të jetë goditja e madhe e Juventusit në merkaton e verës së ardhshme. Sipas të përditshmes italiane “La Republica”, bardhezinjtë i kanë bërë një ofertë zyrtare Milanit për portierin 17-vjeçar, që cilësohet si pasardhësi i Xhixhi Bufonit. Kampionët në fuqi të Serisë A janë të gatshëm të derdhin 40 milionë euro për kartonin e lojtarit dhe pesë milionë neto në sezon për një kontratë katërvjeçare për “gardianin”, ofertë me të cilën duket se klubi kuqezi ka rënë dakord në parim.
Ky operacion mund të përmbyllet me sukses, pasi Milani e ndjen rrezikun që vjen nga menaxheri i lojtarit, Mino Raiola. Ky i fundit është në pritje të skadimit të kontratës së Donarumës në qershor 2018, për të hapur më pas një ankand ndërkombëtar për shitjen e tij. Kështu që, Milanit i mbetet ose mundësia e shitjes verën e ardhshme ose rinovimi i kontratës me portierin, gjë e cila duket mjaft e vështirë për t’u realizuar.
Donnarumma ende nuk ka mbushur 18 vjeç, por që tani ka filluar të thyejë rekorde dhe një ndër më interesantët është rinovimi i kontratës. Në fakt, rinovimi me gjigantin e portës është prioritet te kuqezinjtë. Donnarumma do të mbushë 18 vjetët e tij në 25 shkurt dhe drejtuesit kinezë e shikojnë atë si një nga elementët kryesorë të skuadrës, rreth të cilit po mundohen të krijojnë një skuadër me ambicie, duke i ofruar një kontratë 5-vjeçare. Por, për momentin, manaxheri i futbollistit, Mino Railoa ka frenuar gjithçka, pasi më parë kërkon të shikojë kushtet e kontratës e padyshim edhe vërshimin që do të bëjnë klubet e mëdha evropiane, të cilat e kanë shënjestruar që tani portierin italian.
Me hapjen e merkatos dimërore, Tomas Rincon është kthyer edhe zyrtarisht një lojtar i Juventusit. Pas firmës së hedhur në kontratë dhe fjalëve të para të dhëna për faqen zyrtare të bardhezinjve në internet, mesfushori është prezantuar edhe në konferencën për shtyp. “Këto ditë më duken si një ëndërr e kthyer në realitet”, është shprehur venezueliani, i cili vetëm pak më herët kishte thënë diçka më shumë. “Jam shumë krenar, është një nder për mua të bëhem pjesë e këtij klubi. Dua të jem sa më shpejt në dispozicion të shokëve të mi, të stafit dhe të klubit, e më pas të fitoj titullin, Kupën e Italisë dhe Championsin”.
Mesfushori nga Venezuela, siç ka njoftuar Juventusi, ka firmosur një kontratë deri në vitin 2020, ndërsa për Genoan, klubi ku ai aktivizohej deri në dhjetor, shkojnë plot 8 milionë euro, të cilat do të paguhen me 3 këste, shto këtu edhe një bonus. Zgjedhja e lojtarit që do të mbajë fanellën me numrin 28 shpjegohet thjesht: “Kam ardhur këtu për të fituar”.

Exit mobile version