Prerja barbare e portokalleve sjell revoltë në Elbasan: Qytetarët nuk janë pyetur

Partia Demokratike në Elbasan ka protestuar dje për masakrën që po bën Qazim Sejdini në një prej rrugëve historike, duke prerë barbarisht portokallet që ishin simbol i qytetit. Kryetari i PD-së së Elbasanit, Aurel Bylykbashi, së bashku me qytetarë e të rinj, denoncuan këtë akt të rëndë të Qazim Sejdinit që ka sjellë revoltë në Elbasan, ku banorët nuk janë pyetur e nuk janë konsultuar për një vendim të tillë. “Jemi këtu për të bërë denoncimin e radhës për masakrën e radhës së kryebashkiakut Qazim Sejdini. Qazim Sejdini do të mbahet mend si  kryebashkiaku i Elbasanit, në kohën e të cilit, qytetarët nuk u  pyetën asnjëherë, si në rastin e kësaj rruge këtu, e cila mbahet mend nga qytetarët elbasanas si “rruga e Portokalleve”. Kryebashkiaku Sejdini do të mbahet mend si njeriu që erdhi në atë karrige duke blerë, vjedhur, deformuar e dhunuar qytetarët e Elbasanit, votën e lirë, mediat e lira. Kryebashkiaku Sejdini do të mbahet mend si njeriu në kohën e të cilit, qyteti i Elbasanit u kthye në një Palermo të viteve ‘80”, tha Bylykbashi. Kreu i PD-së së Elbasanit shtoi se ky akt barbar është edhe i paligjshëm gjithashtu. “Në dijeninë time mund të  ketë një vendim të Këshillit Bashkiak për rikonstruksionin e rrugës dhe vendimet i merr shumica. Por nuk ka tekstualisht një vendim, i cili të bëjë fjalë për prerjen e këtyre pemëve që janë pjesë e historisë së qytetit tonë”, pohoi Bylykbashi. Edhe deputeti demokrat i Qarkut të Elbasanit, Luçiano Boçi, ka reaguar në lidhje me këtë skandal. “Kjo ishte e tepërt! Ishin pak metra rrugë në mes të Elbasanit, të lidhura me një nga pikat referuese më të dëgjuara të tij: kryqëzimin “Dinamo”. Një copëz rrugë nga më uniket dhe pse jo më të bukurat në Shqipëri, me portokalle dekorative. E dënuan me zhveshje, e rrëzuan përtokë, me një të rënë të sëpatës, sikur të ishte “e përdalë”!!! Kishte brenda saj simbolikë tradicion dhe paksa histori. Mund të duket e ekzagjeruar, por sot m’u duk sikur më prenë një pjesë të fëmijërisë dhe rinisë sime. Jo vetëm mua”, thekson Boçi në reagimin e tij.

Artikulli paraprakQytetarët e Njësisë 8 i ankohen Bashës për drogën në shkolla
Artikulli tjetërRama prodhon vetëm jakobinizëm, një fund të tillë do ketë