Presidenca ka reaguar dje në lidhje me ngjarjen e incidentit të shkaktuar nga ministri Bushati gjatë pritjes së ambasadorëve, duke e konsideruar si “një rast skandaloz dhe të paprecedent aktin e shëmtuar të dhunimit; të rregullave dhe ligjeve të shtetit, të detyrës dhe funksioneve të garantimit të sigurisë të Gardës së Republikës, të ushtrimit të funksioneve dhe detyrës kushtetuese të Presidentit të Republikës nga Bushati”. Përmes një njoftimi për mediat, Presidenca ka sqaruar të vërtetën mbi incidentin e ndodhur të enjten që shkoi në pritjen e organizuar nga Presidenti i Republikës. Presidenca ka sqaruar se, “në datën 14 korrik 2016, në orën 19:30, Presidenti i Republikës kishte ftuar në një takim ambasadorët e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në botë, të cilët ishin thirrur në Atdhe për të marrë pjesë në Konferencën Vjetore”. Sipas njoftimit për mediat në pritjen që kryetari i shtetit kishte organizuar në ambientet e Presidencës nuk ishte i ftuar ministri Ditmir Bushati dhe pjesëtarë të ministrisë. Por megjithëse i paftuar, Presidenca sqaron se me një akt prej dhunuesi, Bushati dhe persona të tjerë, të paftuar, depërtojnë me forcë në ambientin ku do të organizonte pritjen Presidenti Nishani. “Ministria e Jashtme në mënyrë të përsëritur, në fyerje të Kushtetutës së Republikës, thyerje të praktikës protokollare shtetërore, dhunim të prerogativave kushtetuese të kryetarit të shtetit e përjashtoi dhe ndaloi pjesëmarrjen e Tij në hapjen dhe zhvillimin e Konferencës Vjetore. Në çdo rast, Konferenca e Ambasadorëve hapet dhe përshëndetet nga kryetari i shtetit, që është Presidenti i Republikës dhe askush tjetër. Ky akt i papërgjegjshëm, foshnjarak, bizantin dhe i dënueshëm rëndon shumë imazhin e vendit tonë, për fat të keq. Në mënyrë të përsëritur, ministri Ditmir Bushati refuzon të njohë institucionin e Presidentit të Republikës. Në pritjen që kryetari i shtetit kishte organizuar në ambientet e Presidencës nuk ishte i ftuar ministri Ditmir Bushati dhe pjesëtarë të MPJ-së. Lista e të ftuarve i ishte dhënë autoriteteve të Gardës së Republikës në respekt të procedurave protokollare dhe sigurisë. Me një akt prej dhunuesi, ministri Ditmir Bushati dhe persona të tjerë, të paftuar, depërtojnë me forcë në ambientin ku do të organizonte pritjen Presidenti i Republikës”, thuhet në njoftimin e Presidencës. Nga ana tjetër në reagimin për mediat citohet se: “Një veprim i paekulibruar dhe i paprecedent në historinë e shtetit shqiptar. Administrata e institucionit të Presidentit të Republikës, duke shprehur shqetësimin e thellë për mospërmbushjen e detyrës nga punonjësit e Gardës së Republikës i është adresuar drejtuesve të këtij institucioni, i ngarkuar me ligj për të garantuar sigurinë e funksionimit të kryetarit të shtetit, për të hetuar dhe marrë të gjitha masat e nevojshme në zbatim të ligjit dhe Kushtetutës së vendit”, citohet ndër të tjera në reagimin e Presidencës.
Incidenti i Bushatit, PD: Mentaliteti i sunduesve, forma e qeverisjes në tre vite
Partia Demokratike ka dënuar ashpër dje incidentin e shkaktuar nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në pritjen e organizuar nga Presidenca për ambasadorët. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi se incidenti i Bushatit nuk është një rast i izoluar, por sipas saj reflekton arrogancën e qeverisë sot. “Sjellja prej cubi e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati në dyert e Presidentit, është më shumë se fodullëku i një mediokri, është fytyra arrogante e një qeverie që nuk njeh rregullat, ligjin, normat e institucionet, por sundon sipas tekave e interesave të saj. Ashtu si Bushati në dyert e Presidentit që përplaset dhe agreson punonjësit e Gardës, ministri tjetër i Ramës, Tahiri i Habilajve e Shullazit, përplaset e sulmon institucionet e drejtësisë, i kërcënon ata në mënyrë mafioze. Edhe fytyra tjetër e qeverisjes, Veliaj, sulmon gjykatat e ngre barrikada, për interesat e tij private e klienteliste. Dhe në krye të kësaj bande që mendon se ka pushtet absolut e nuk njeh asnjë institucion të pavarur me Kushtetutë, është Edi Rama, i cili jo vetëm frymëzon e shpërblen aktet si këto të Bushatit, Tahirit e Veliajt, por ai vetë është në vijën e parë të sulmit e shantazhit kriminal ndaj gjykatave, prokurorëve e institucioneve që nuk mendojnë si ai, që nuk marrin vendimet që dëshiron ai”, u shpreh Zhupa në deklaratën e saj. Ajo tha se ky mentalitet sunduesish ka qenë qeverisja e këtyre tri viteve dhe ky mentalitet është e vërteta e përpjekjes së Edi Ramës për të mos bërë Reformën në Drejtësi, por për ta kapur drejtësinë, për ta vënë nën vete, për ta asgjësuar si pushtet të pavarur. “Lepuri i madh i hajdutërisë e korrupsionit ka gjetur strehë në barkun e Edi Ramës, ndaj ai nuk do drejtësi, por gjykatës e prokurorë që do të mbyllin dosjet e tij të panumërta të korrupsionit”, tha Zhupa ndër të tjera.
A.Shahini