Presidenca: Rama, i paburrë, sjellje ordinere në Parlament

Presidenca ka reaguar ashpër dje ndaj deklaratave skandaloze të Kryeministrit Rama në Parlament, i cili në mënyrë të paprecedent sulmoi dhe fyeu Presidentin, Bujar Nishani. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Presidenca  e cilëson sjelljen e Ramës si ordinere dhe një paburrëri të pashembullt, ndërsa i bën thirrje Kryeministrit të lërë retorikën e akuzave
“Institucioni i Presidentit të Republikës është i indinjuar nga sjellja e paprecedent e Kryeministrit aktual në Parlament, i cili duke keqpërdorur aulën e Kuvendit të Shqipërisë fyen dhe shpif ndaj Presidentit të Republikës. Sjellje kaq ordinere nuk ka ndodhur kurrë më parë në sallën e Parlamentit shqiptar. Të fyesh Kryetarin e Shtetit, duke shfrytëzuar një vend ku Presidenti nuk është prezent është paburrëri e pashembullt. Institucioni i Presidentit të Republikës i kërkon Kryeministrit aktual ta lerë më së fundi ‘shoën’ dhe ekzibicionin dhe të fillojë menjëherë nga puna për të cilën është ngarkuar që tre vjet më parë”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Presidenca i bën thirrje Ramës që të nisë urgjentisht procesin e dekriminalizimit dhe t’u ofrojë qytetarëve shërbimet për të cilat u zgjodh tre vite më parë. Gjithashtu përmes kësaj deklarate për mediat, Ramës i bëhet thirrje që të heqë dorë nga bllokimi i Reformës në Drejtësi dhe të ofrojë konsensusin e nevojshëm për miratimin e saj.
“Gjithashtu i kërkon Kryeministrit aktual të largojë urgjentisht nga administrata e shtetit individët e përfshirë në veprimtari kriminale. Të krijojë mundësitë për punësim të qytetarëve të vendit, të cilët po vuajnë nga një situatë e rëndë ekonomike. Të luftojë bandat e krimit të organizuar. T’u ofrojë shërbimin shëndetësor publik qytetarëve që vuajnë çdo ditë nga nevoja për trajtim mjekësor. Të luftojë korrupsionin e përmasave shqetësuese në dëm të pasurisë publike dhe private të qytetarëve shqiptarë. Të mos bllokojë reformën e sistemit të drejtësisë, por të ofrojë kompromisin e nevojshëm për miratimin e saj. Institucioni i Presidentit të Republikës beson vendosmërisht se, përtej pengesave provizore, Shqipëria do të ecë përpara drejt forcimit dhe begatimit”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Nishani me delegacionin e PE për situatën e rëndë në vend

Presidenti Bujar Nishani zhvilloi një takim me Delegacionin e Parlamentit Evropian kryesuar nga zonja Elly Schlein, që ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në takimin e Komitetit Ndër-parlamentar Shqipëri-BE
Në përgjigje të interesimit të delegacionit të eurodeputetëve lidhur me përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, Kreu i Shtetit u shpreh se Reforma në Drejtësi dhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit janë çështje prioritare në agjendën e vendit, duke përcjellë edhe shqetësimin e tij serioz për largimin masiv të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së. Duke u pajtuar me konstatimin se kultura politike mbetet ende një sfidë në vend, Presidenti Nishani inkurajoi të gjitha palët për të shënuar sukses në takimin e Komitetit Ndër-parlamentar dhe miratimin e konkluzioneve dhe rekomandimeve që do të dalin prej tij.
Kreu i Shtetit u ripërcolli eurodeputetëve garancinë se, Shqipëria e sheh procesin e integrimit në Bashkimin Evropian si të vetmen alternativë të së ardhmes së saj, dhe në këtë kontekst vlerësoi mbështetjen e pakursyer dhe të plotë që BE i ofron vendit tonë në këtë rrugëtim. Presidenti Nishani theksoi gjithashtu, se është ky proces që përbën çelësin e zhvillimit dhe përparimit të Shqipërisë, dhe se vendi ynë i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’ia dalë mbanë. Duke bashkëndarë vlerësimin se është përgjegjësi e palës shqiptare që të realizojë reforma thelbësore për shtet-ndërtimin në vend, Presidenti Nishani vuri në dukje se fjalëkalimi i çdo reforme të suksesshme është vullneti.
Gjatë takimit, Presidenti Nishani ndau me eurodeputetët përshtypjet e shkëlqyera nga vizita zyrtare që zhvilloi më herët në Bruksel, dhe shprehu falënderimet për mbështetjen dhe vëmendjen që i kushtohet Shqipërisë, siç u konfirmua nga Presidentët Tusk dhe Schulz.

Eurodeputetët: Shqipëria po humbet shansin e anëtarësimit në BE

Raportuesit e PE për Shqipërinë, Eduard Kukan dhe Knut Fleckeinstein deklarojnë se nëse Reforma në Drejtësi nuk miratohet, atëherë Shqipëria humbet shansin e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian
Nisi mesditën e djeshme në Tiranë takimi i 10-të i Këshillit të Asociim-Stabilizimit Shqipëri-Bashkimi Europian, i cili do të zgjasë edhe gjatë ditës së nesërme. Gjatë fjalës së tij raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein deklaroi se Shqipëria duhet të ecë përpara me miratimin e reformës në gjyqësor, pasi në të kundërt mund të humbasë shansin e anëtarësimit në BE
“Kemi 5 apo 6 javë deri në fund të qershorit, që të jeni sa më konstruktiv, sepse nuk është gabimi juaj, por i yni që nëse nuk arrini marrëveshje për Reformën në Gjyqësor mund të shtyni diskutime të rëndësishme për disa vite. Kjo nuk bëhet për të ndëshkuar Shqipërinë, por se ne jemi të dobët në BE. Nuk është koha e duhur për anëtarësime spektakolare, kjo është e vërteta edhe pse s’më pëlqen. Na lejoni të bëjmë më të mirën që të mos e humbni këtë shans, ju uroj më të mirën, duhet të vendosni ju. Nuk duhet ta humbim këtë shans. Miratimi i reformës nuk është i pamundur”, tha ai. Ndërsa, europarlamentari Eduard Kukan ka qenë më i drejtpërdrejtë në apelin e tij, kur tha se politika shqiptare në tërësi ka përgjegjësi për këtë reformë dhe se duhet të gjejnë konsensusin për miratimin e saj.
“Ia vlen të përmendim se pjesa më e madhe e Parlamentit e vlerëson progresin e bërë deri më tani, e konfirmuar edhe nga rezoluta e muajit prill. Ju kujtoj angazhimin e PE për procesin e reformave të Shqipërisë. Mund ta kujtoni se unë e zoti Fleckenstein vizituam Shqipërinë për të mbështetur punën në Reformën e Gjyqësorit, e di që ka shumë diskutime për këtë temë, por jo mjaftueshëm. Komuniteti ndërkombëtar, Europa dhe SHBA mbështesin Reformën në Drejtësi me ekspertizë dhe këshilla. Mbështetja e komisionit për draftin, në përgatitjen e reformës për të lehtësuar konsensusin politik.
Në këtë sens do të doja të mirëpres dëshirën për të vijuar me reformën, e duan edhe 90% e shqiptarëve këtë reformë. Është thënë shumë për nevojën e reformës, ka marrë vëmendje të paprecedentë. Rëndësia e saj është e qartë, ajo që duhet të përmendet është se bëhet fjalë për një reformë komplekse, ngritjen e rregullave të reja. Proces që ndihmonte Shqipërinë të forconte shtetin ligjor dhe hapjen e negociatave. Të mos nënvlerësohet dialogu politik. Kjo duhet të miratohet me mbështetje të gjerë, i gjithë spektri politik ka përgjegjësi. Të gjithë politikanët ta kenë parasysh se kanë përgjegjësi. Të gjejnë konsensus për amendamentet kushtetuese, është në duart e tyre”.

Arben Shahini

Exit mobile version