Me largimin e një presidenti dhe ardhjen e presidentit të ri, është e rëndësishme të theksohet ekonomia tepër e ndryshme që secili prej tyre trashëgon. Njëri e filloi mandati i tij pas një recesioni të madh ekonomik, ndërsa tjetri e fillon mandatin me një pasqyrë të re ekonomike, veçanërisht përsa i përket nivelit të punësimit.
Një nga premtimet kryesore të fushatës së presidentit të sapozgjedhur Donald Trump ishte kthimi i vendeve të punës në Amerikë. Në këtë pikë zoti Trump trashëgon një ekonomi shumë më të mirë se sa zoti Obama në vitin 2008.
“Donald Trump ka mundësi të jetë në gjendje relativisht më të mirë në këtë aspekt dhe unë mendoj se Barack Obama mund të jetë relativisht i kënaqur për punën që administrata e tij ka bërë”, thotë analisti Mark Hamrick.
Që nga viti 2009, kur papunësia arriti nivelin 10 për qind dhe kompanitë po pushonin nga puna mijëra njerëz çdo muaj, ekonomia ka shtuar rreth 11 milionë vende të reja pune nga një rritje pozitive e vendeve të reja të punës për 75 muaj rresht.
Sektori i ndërtimit ka shtuar vende pune me një ritëm më të shpejtë se sa sektorët e tjerë të ekonomisë, dhe pritet të ketë një vit tjetër të mirë, thotë ekonomisti Ken Simonson.
“Ne jemi optimistë se administrata e re, Kongresi i ri, do të bëjë më shumë investime në infrastrukturë”, thotë ai.
Edhe sektori i energjisë ka patur një rritje pozitive. Çmimet e naftës kanë filluar të rimëkëmben pas një rënieje dramatike. Presidenti i Institutit amerikan të Naftës, Jack Girard është veçanërisht i kënaqur në lidhje me heqjen e embargos ndaj eksportit të naftës së papërpunuar amerikane.
“Ndoshta brezi ynë do të ketë për herë të parë shansin ta shohë Amerikën të bëhet eksportues i energjisë. Kjo është një mundësi e rëndësishme për ne”, thotë ai.
Por, për punëtorët amerikanë, lajmi më i mirë është perspektiva për paga më të larta, me ritmin më të shpejtë të rritjes që nga viti 2009.
“Përmirësimi i pagave është inkurajues dhe rrit shpresat për rritje të mëtejshme në një të ardhme të parashikueshme”, thotë analist Mark Hamrick.
Megjithatë, ekonomistët thonë se rritja e punësimit nuk ka të ngjarë të jetë aq e fuqishme sa në vitet e mëparshme. Pavarësisht rimëkëmbjes së tregut të punës, rreth 7.5 milionë amerikanë janë ende pa punë dhe shkalla e pjesëmarrjes në tregun e punës, numri i të rriturve të aftë për punë, mbetet ende e ulët.