Presidenti Bankës Botërore Jim Yong Kim njoftoi papritur dorëheqjen të hënën, pasi udhëhoqi grupin huadhënës për 6 vjet.
Kim, i cili është shtetas amerikan, do të largohet nga detyra më 1 shkurt, disa vjet pas përfundimit zyrtarisht të mandatit të tij.
Kim është me profesion mjek dhe antropolog. Më parë ai ka drejjtuar disa projekte për luftën kundër SIDË-s në disa nga vendet më të varfëra të botës. Ai është drejtori i parë i Bankës, i cili kishte eksperiencë të drejtpëdrejtë nga fronti i parë i luftës kundër varfërisë dhe që nuk kishte formim në fushën e politikës, apo të financave.
Si Drejtor i Bankës Botërore, ai u përpoq që institucioni që ai drejtonte të bënte më tepër për eliminimin e varfërisë ekstreme. Në letrën e tij të dorëheqjes, zoti Kim thotë se ai është përpjekur për gjetjen e mënyrave novatore për financimin e luftës kundër epidemive dhe për të ndihmuar njerëzit e zhvendosur nga ndryshimet klimatike. Ai thotë gjithashtu se kishte bashkëpunuar me Kombet e Bashkuara dhe disa kompani kryesore teknologjike për zbulimin dhe parandalimin e urisë.
Drejtoresha e Bankës Botërore Kristalina Georgieva do të jetë Presidentja e Përkohëshme e Bankës. Ajo është bullgare dhe ka eksperiencë në fushën e financave dhe të zhvillimit.