Presidenti i La Ligës paralajmëron Barcelonën për Messin

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas ka paralajmëruar Barcelonën se nuk do të mundë ta regjistrojë Lionel Messin për sezonin e ri nëse nuk ia ul dukshëm pagën, duke thënë se nuk do të bëjë asnjë përjashtim për argjentinasin për të qëndruar në ligën elitare spanjolle.

Barcelona dhe Lionel Messi janë në bisedime, por ende nuk kanë arritur marrëveshje për zgjatjen e kontratës. Njëra prej çështjeve kryesore është paga e lojtarit.

Marrëveshja e Messit në klubin katalonas mbaron në fund të qershorit, që nënkupton se ai do të jetë lojtar i lirë pas rreth një jave.

La Liga i ka kërkuar Barcelonës t’i ulë shpenzimet e pagave të futbollistëve, pasi ato i tejkalojnë kufizimet e pagave sipas rregullave të La Ligës për fair play financiar.

Gjiganti katalonas duhet ta bëjë këtë në mënyrë që t’i regjistrojë lojtarët e vet për sezonin e ri 2021/22. Messi do të mbetet pa kontratë brenda javës dhe Barça po ka vështirësi në arritjen e një marrëveshje me argjentinasin.

Marrëveshja e fundit katërvjeçare e Messit, e nënshkruar më 2017, pati vlerën e mbi 500 milionë eurove, përfshirë pagën vjetore, bonuset dhe pagesat për nënshkrimin e ujdisë.

Por Tebas ka paralajmëruar se pa uljen e shpenzimeve të pagave, Barcelona nuk mund ta regjistrojë Messin.

“La Liga i ka rregullat e veta të fair play financiar dhe Barça e di këtë shumë mirë. Ata janë të vetëdijshëm se duhet t’i ulin shumë shpenzimet e pagave. Messi është njëjtë si Aguero apo çdo lojtar tjetër që e afrojnë ata. Ne nuk do të bëjmë asnjë përjashtim që Messi të qëndrojë këtu”, ka thënë Tebas.

Presidenti i Barcelonës Joan Laporta dhe Jorge Messi, babai dhe menaxheri i lojtarit, vijojnë bisedimet për një marrëveshje të re për Messin.

Prioriteti i 33-vjeçarit nuk është ekonomik. Ai po kërkon garanci nga Barcelona se do ta ketë një ekip më garues në fushë, pasi tani po futet në perëndim të karrierës.

Exit mobile version