“Klimë e keqe rreth Ergys Kaçes”. Ky është titulli i një shkrimi të publikuar në faqen prestigjoze greke “Sportdog.gr” ku theksohet se me shumë mundësi ky është sezoni i fundit i mesfushorit shqiptar në radhët e PAOK-ut të Selanikut. Sipas informacioneve mediatike, Kaçe ka bërë gati valixhet për të gjetur një destinacion të ri. Shkak është bërë sjellja e shqiptarit që sipas mediave greke ka ngjallur reagimin e presidentit, Ivan Savvides, i cili kjërkon që t’i japë fund telenovelës së bisedimeve për rinoviomin, duke firmosur largimin e tij nga Selaniku. Gjithsesi, “Sportdog.gr” thekson se PAOK synon të përfitojë sa më shumë nga largimi i Kaçes, kontrata e të cilit skadon në verën e vitit 2017.
Nëse zërat për ftohjen e marrëdhënieve mes futbollistit dhe presidencës konfirmohen, atëherë largimi i mesfushorit gjatë muajve të verës mund të jetë thjesht çështje kohe, pasi në të kundërt, Kaçe mund të lirohet në muajin janar me parametra zero, çka do të thotë se PAOK mund të humbasë shumë, duke mos arkëtuar asnjë qindarkë. Zërat e merkatos për shqiptarin kulmuan gjatë muajve të verës, por edhe në merkaton e dimrit të këtij viti por PAOK tentoi deri në fund për ta bindur të firmoste një kontratë të re, por palët nuk kanë rënë dakort për detajet, duke vendosur të ndjekin rrugë të ndryshme në të ardhmen.