Presidenti i ri i Tajvanit i bën thirrje Kinës: Ndalni kërcënimet! Duam t’i themi botës se…

Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, i ka kërkuar Kinës të hënën t’i ndalë kërcënimet ushtarake dhe politike, duke thënë se paqja është zgjidhja e vetme dhe se Pekini duhet ta respektojë zgjedhjen e popullit tajvanez.

 

Lai, duke iu drejtuar turmës pranë zyrtares presidenciale në qendër të Taipeit në fjalimin e tij inaugurues, e përsëriti thirrjen për bisedime me Kinën.

Kina pretendon se Tajvani është territor i saj dhe i ka rritur kërcënimet për ta aneksuar atë me forcë nëse është e nevojshme.

“Unë dua gjithashtu t’i bëj thirrje Kinës të mos e kërcënojë më Tajvanin politikisht dhe ushtarakisht, dhe ta marrë përsipër përgjegjësinë globale për Tajvanin për të punuar zellshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit përgjatë Ngushticës së Tajvanit dhe në rajon, për t’u siguruar se bota nuk frikësohet nga shpërthimi i luftës”, tha ai.

Lai shtoi se “ne duam t’ia themi këtë botës: Tajvani nuk bën lëshime për demokracinë dhe për lirinë. Paqja është opsioni i vetëm dhe prosperiteti është synimi ynë për paqe dhe stabilitet afatgjatë”.

Tajvani është duke u përballur me trysni nga Kina, e cila gjithashtu ka mbajtur aktivitete të rregullta detare dhe ajrore në afërsi të ishullit prej se Lai, 64 vjeç, u emërua president në janar.

Lai, i cili ka qenë zëvendëspresident në katër vjetët e fundit, tha se njerëzit duhet të jenë realë për kërcënimin nga Kina dhe se Tajvani duhet ta dëshmojë përkushtimin për ta mbrojtur veten.

“Para se Kina të heqë dorë nga përdorimi i forcës për ta pushtuar Tajvanin, qytetarët duhet ta kuptojnë këtë: Edhe nëse ne i pranojmë të gjitha pretendimet e Kinës dhe heqim dorë nga sovraniteti, synimet e Kinës për ta aneksuar Tajvanin nuk do të zhduken”, shtoi ai.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha në raportin ditor të së hënës, për aktivitetet ushtarake të Kinës, se gjashtë avionë luftarakë kinezë e kaluan vijën e mesit të Ngushticës së Tajvanit, e cila në të kaluarën ka shërbyer si një vijë jozyrtare kufitare.

Kina thotë se nuk e njeh më këtë vijë kufitare.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e uroi Lain për detyrën, duke thënë se Shtetet e Bashkuara mezi presin të punojnë me të për “avancimin e interesave dhe vlerave tona të përbashkëta, për thellimin e marrëdhënieve tona të kamotshme jozyrtare, dhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit përgjatë Ngushticës së Tajvanit”./REL

Exit mobile version