Presidenti kthen në Kuvend taksën për Dhomat e Tregtisë

Presidenti Nishani dekretoi dje kthimin për rishqyrtim në Kuvend të Ligjit për Dhomat e Tregtisë. Ky ëshë ligji i dytë që Nishani kthen në Kuvend pas kthimit të ligjit të mbetjeve më 14 tetor. Ndryshimet e ligjit parashikojnë që anëtarësimi i biznesit në Dhomën e Tregtisë të jetë i detyrueshëm kundrejt tarifës vjetore që varion nga 1 mijë deri në 100 mijë lekë. Por kjo është kundërshtuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Dhoma Britanike, sipas të cilave, ndryshimet e ligjit rrisin barrën e taksave ndaj biznesit. Dhoma Amerikane e Tregtisë ngriti shqetësimin se anëtarësimi i detyrueshëm rrit barrën fiskale ndaj biznesit.

Dekreti:
Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të Ligjit nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9640, datë 9.11.2006, ‘Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë’, të ndryshuar”.
Nr. Dekretit 9769
Tiranë, më 18.10.2016
Presidenti i Republikës
Bujar Nishani
Arsyet e kthimit të Ligjit nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9640, datë 9.11.2006, ‘Për Dhomat e Tregtisë’ të ndryshuar”.
Në seancën plenare të datës 29 shtator 2016, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9640, datë 9.11.2006, ‘Për Dhomat e Tregtisë’ të ndryshuar”. Përmes këtij ligji është rikthyer anëtarësimi i detyrueshëm në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, duke përfshirë personat fizikë dhe juridikë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe duke përcaktuar edhe kuotat e detyrueshme të anëtarësimit në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë.
Referuar relacionit të ligjit, mungesa e një buxheti minimal për funksionimin e Dhomave të Tregtisë ka çuar në uljen plotësisht të rolit të dhomave, si dhe në reduktimin e shërbimeve që duhet t’i jepen anëtarësisë së saj dhe si rrjedhojë dhomat dhe Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë gjenden në pamundësi të plotë për të përmbushur detyrimet minimale që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare, duke krijuar jo vetëm një situatë paaftësie paguese të kuotizacioneve, por edhe duke rrezikuar për t’u përjashtuar nga disa shoqata/organizata, siç janë EuroChambers, Association of Ballkan Chambers etj.
Ligji bazë nr. 9640, datë 9.11.2006, parashikonte në nenin 6 që anëtarësimi në Dhomat e Tregtisë ishte i detyrueshëm për ndërmarrjet shtetërore, si dhe për personat juridikë, të regjistruar në regjistrin tregtar dhe është vullnetare për personat fizikë, që kanë cilësinë e tregtarit, të cilët ushtrojnë veprimtari tregtare, industriale.
Shumë organizata biznesi, mes të cilave edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkuan për një kohë të gjatë nga qeveria në vitin 2008 që bizneset të kishin të drejtën të regjistroheshin vetëm në ato organizata që ata besojnë se iu shërbejnë më mirë. Me Ligjin nr. 9897, dt. 10.04.2008, i dekretuar nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 5689, dt. 29.04.2008, u bënë ndryshime në nenin 6, duke përcaktuar se anëtarësia në Dhomat e Tregtisë është vullnetare për personat juridikë dhe fizikë, të regjistruar në regjistrin tregtar, sipas legjislacionit në fuqi.
Ndryshimi në vitin 2008 synonte që anëtarësimi në Dhomat e Tregtisë të bëhej në mënyrë vullnetare me qëllim që biznesi të anëtarësohej në një dhomë tregtie vetëm nëse e sheh me interes anëtarësimin për veprimtarinë e tij dhe nëse dhoma i ofron shërbimet për të cilat ai ka nevojë. Referuar relacionit të Ligjit nr. 9897, heqja e anëtarësisë së detyrueshme do të kishte ndikim pozitiv në performancën e Dhomave të Tregtisë, duke qenë se do të shtohej konkurrenca mes saj dhe shoqatave që përfaqësojnë biznesin dhe masa e kuotës së anëtarësisë nuk do të miratohej nga organi mbikëqyrës, me qëllim rritjen e autonomisë së Dhomave të Tregtisë.
Ky ndryshim, së bashku me reformën për shkurtimin e kohës dhe kostos së licencimit dhe regjistrimit, përmirësuan me disa pikë pozicionin e Shqipërisë në raportin e Bankës Botërore për klimën e biznesit (Doing Business Report).
Sot pas më shumë se tetë vitesh, qeveria përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në cilësinë e organit mbikëqyrës të veprimtarisë së Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, sërish bëri një kthim prapa, duke krijuar sërish një shkelje kushtetuese të rregulluar në vitin 2008, të miratuar me votat e mazhorancës dhe opozitës të asaj kohe dhe të dekretuar nga Presidenti i Republikës.
Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se, ky ligj duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme:
Së pari: Rregullimi ligjor në lidhje me detyrueshmërinë e anëtarësimit në Dhomat e Tregtisë dhe Dhomat e Bashkuara të Tregtisë përbën një shkelje kushtetuese referuar nenit 46 të Kushtetutës. Neni 46 i Kushtetutës përcakton se: “Kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm” duke njohur kështu një parim themelor të të drejtave themelore të njeriut për të marrë pjesë në organizatat dhe shoqatat, qofshin politike, të biznesit apo tjetër, me vullnetin e tyre.
MZHETTS e ka argumentuar vendosjen e anëtarësisë së detyrueshme të subjekteve tregtare në Dhomën e Tregtisë me faktin se rritja e të ardhurave do t’u mundësojë dhomave dhe bashkimit të dhomave të përmbushin detyrimet që rrjedhin, jo vetëm nga marrëveshjet ndërkombëtare me organizmat si EuroChambers, Association of Ballkan Chambers etj., por të zhvillojnë një aktivitet normal në ofrimin e shërbimeve në funksion të detyrimeve ligjore kundrejt anëtarëve të saj.
Në fakt iniciativa për forcimin e pozitës së dhomave publike të tregtisë (që është në parim një përpjekje pozitive nga ana e qeverisë) po bëhet duke iu vendosur bizneseve një taksë të fshehtë. Ky qëndrim nuk është në përputhje me rregullat bazë të ekonomisë së tregut. Ashtu si vetë subjektet e biznesit, shoqatat e biznesit duhet të kryejnë aktivitet mbi bazën e rregullave që janë të drejta dhe jodiskriminuese. Referuar pretendimit të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, ky ligj është i orientuar në praktikat ligjore të sistemit kontinental të funksionimit të dhomave.
Ndërkohë, përfaqësuesit e biznesit vendas dhe të huaj në Shqipëri, pretendojnë se suksesi dhe efektiviteti i aktivitetit kryesor të Dhomës së Tregtisë, ai i mbrojtjes së interesave të ligjshme të biznesit është i paragjykueshëm nga fakti që anëtarësimi në këtë organizatë, e cila mbikëqyret nga ministri përgjegjës për tregtinë bëhet i detyrueshëm dhe jo i bazuar në vullnetin e lirë të anëtarëve, duke sjellë dobësimin e oponencës së biznesit në lidhje me iniciativat legjislative të qeverisë dhe për rrjedhojë dobësimin e konsultimit efektiv të qeverisë e grupet e interesit në lidhje me këto iniciativa. Gjithashtu, ato pretendojnë se ligji për Dhomat e Tregtisë në sistemin kontinental ofron mbrojtje dhe mbështetje të tilla, të cilat nuk ofrohen nga ky ligj.
Fuqizimi i organizatave të biznesit është një tregues i rëndësishëm i nivelit të zhvillimit të biznesit, si dhe i demokratizimit të shoqërisë në përgjithësi. Në këtë kuadër, duhet të veprojnë edhe Dhomat e Tregtisë të krijuara me Ligjin nr. 9640, datë 09.11.2006 “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”. Ligji nuk ofron asnjë qartësi në lidhje me llojin dhe cilësinë e shërbimit të Dhomës së Tregtisë apo të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë për anëtarët që do të anëtarësohen në mënyrë të detyrueshme dhe do të paguajnë kuotën e detyrueshme apo rregullat dhe parimet mbi bazën e të cilave do të promovohen, lobohen dhe mbrohen interesat e anëtarëve të dhomave. Gjithashtu, ky ligj nuk përcakton se çfarë pasojash ka për subjektet që nuk anëtarësohen në mënyrë të detyrueshme.
Nëse biznesi ka lirinë të zgjedhë organizatën ku do të marrë pjesë, të gjitha dhomat dhe shoqatat do të jenë më të vëmendshme për të rritur nivelin e shërbimeve të tyre, për të ruajtur kështu numrin e anëtarëve të tyre, për të përfaqësuar me dinjitet zërin e anëtarëve dhe për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Çdo favorizim i Dhomave të Tregtisë përbën një diskriminim të shoqatave të tjera të biznesit në cenim të nenit 18 të Kushtetutës.
Së dyti: Anëtarësimi absolut i detyrueshëm me anë të pagesës së kuotës së anëtarësisë në Dhomat e Tregtisë nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë krijon premisat e një takse të fshehtë për biznesin në kushtet që subjektet tregtare kanë vështirësi në realizimin e fitimeve. Ligji 93/2016 përcakton se kuota e anëtarësimit vjetor për çdo person fizik që ushtron aktivitet tregtar është 1000 lekë, ndërsa për personat juridikë kuota është 3000 deri në 100 000 lekë.
Neni 155 i Kushtetutës përcakton qartë se detyrimet financiare, taksa dhe tatime, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen veç me ligj. Në raportin e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese është bërë e qartë se në asnjë mënyrë kjo pagesë nuk duhet të vendoset si një taksë e fshehtë për biznesin, duke kërkuar që vendosja e detyrimit të anëtarësimit duhet të shoqërohet detyrimisht me:
– transparencë në përcaktimin e kuotave, duke parashikuar që caktimi i tyre të bëhet bazuar në kategorizimin e bizneseve, si dhe duke vendosur tarifa minimale dhe maksimale në përcaktimin e kuotave, bazuar në kategorizimin e bizneseve si person fizik apo person juridik; dhe
– transparencë në administrimin e të ardhurave që krijohen nga pagesat e kuotave, duke vendosur detyrimin për publikimin në faqen e internetit të dhomës të buxhetit të vitit aktual të miratuar nga Asambleja dhe të pasqyrës së realizimit faktik të buxhetit të vitit paraardhës.

Exit mobile version