Presidenti: Mafia e betonit pas vandalizmit në Parkun e Liqenit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka treguar arsyet që e çuan t’i bashkohej protestës së Shoqërisë Civile për ndërtimin tek Parku i Liqenit. Në një intervistë me gazetaren Desada Metaj për “Opinion”, Presidenti Nishani i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet, pasi sipas tij për parkun po ndërhyn mafia e betonit. “Kundërshtarët më të egër dhe më të ashpër të atyre djemve dhe vajzave janë rrogëtarët e mafies së betonit në Tiranë. A mundem unë që si President i Republikës të trembem, kompleksohem apo të tërhiqem nga këto relacione, angazhime? Kurrsesi, përndryshe nuk do ta meritoj asnjë ditë qëndrimin tim në zyrën e Presidentit të Republikës. Prokuroria duhet ta hetojë, unë e denoncoj dhe ju siguroj do të vazhdojë ta denoncoj, pavarësisht nëse jam President apo qytetar i thjeshtë”, tha Nishani.
Presidenti Nishani tha më tej se, nuk ka mbështetur dhe nuk ka folur për akuzën penale dhe ligjore që kanë bërë qytetarët në Prokurori, por ka mbështetur kauzën e Shoqërisë Civile. “Unë kam mbështetur kauzën e tyre. Kauza e tyre shkon përtej aktit vandal që po ndodh tek Parku natyror i Liqenit. Me çfarë kam parë dhe reaguar unë, dhe ndihem mirë, në një situatë kur duket se shpresa ka humbur në Shqipëri, në një situatë kur duket se komuniteti dhe shoqëria është bërë inekzistente në Shqipëri, duket sikur fatalizmi po invadon çdo qelizë të mendjes dhe gjithë shpirtit shoqëror, tregoi që nuk është kështu, por ka vend për një lloj optimizmi, sepse pikërisht një grup djemsh dhe vajzash të reja absolutisht me vizion qytetar denoncuan një model, i cili është jo vetëm i vjetëruar, por dhe një model banal, një model, i cili mendon që do të imponohet përmes forcës së pushtetit, dhunës, instrumenteve, spekulimit, territ, asaj që ne kemi nevojë, emancipimit të shoqërisë. Ne kemi humbur shumë kohë në të shkuarën, duke qenë një vend i izoluar dhe ndoshta do të na duhet shumë e shumë kohë për të krijuar impaktin e një shoqërie, e cila e prezanton problemin dhe shqetësimin e saj në mënyrë të civilizuar dhe ne kemi shumë nevojë të emancipojmë shoqërinë dhe të krijojmë një model të ri.
Presidenti Nishani u shpreh se kauzën e Shoqërisë Civile nuk e sheh si një lëvizje politike, por një lëvizje qytetare. “Unë absolutisht nuk e shoh atë si një lëvizje të motivuar politikisht, por një lëvizje qytetare jo vetëm se vjen nga njerëz të painkuadruar në parti politike, por vjen nga njerëz, të cilët janë pedagogë në universitete, juristë, veprimtarë të Shoqërisë Civile, arkitektë të organizuar dhe të lidhur me njëri-tjetrin vetëm për shkak të kauzës që atë po mbrojnë dhe ka nisur një lëvizje, e cila po krijon një model të ri, të reagimit qytetar ndaj padrejtësive dhe për t’i thënë që në qytet, në Shqipëri, në komunitetin tonë, në këtë vendin tonë ata që zotërojnë pushtet nuk mund të jenë kurrë më të fuqishëm dhe të dhunshëm ndaj shoqërisë në tërësi. Qytetarët janë shumë e shumë më tepër se pushtetarët. Ata që duan emancipimin dhe zhvillimin e vendit janë shumë e shumë më tepër se sa një grup i vogël njerëzish që përfiton nga betoni. Pra, në këtë kontekst, unë mendoj që ajo lëvizje në një afat të mesëm në këtë vend do ta orientojë shoqërinë dhe shoqëria ka nevojë për mendimin intelektual, për mendje të tilla, për njerëz me kurajë, me guxim, që mund të duken pak në numër në një moment të caktuar, por jam i bindur që në një moment tjetër i bashkëngjiten ata që janë me mendjen dhe zemër sot atje dhe fizikisht dhe e udhëheqin shoqërinë në një model të ri. Ne kemi nevojë për një model të ri, për një model të qytetarisë edhe tek mënyra e komunikimit”, tha Presidenti Nishani.
Nishani iu përgjigj edhe pyetjes për gjuhën e përdorur nga kreu i Bashkisë Erion Veliaj ndaj Presidentit të Republikës. “A mundet që një i zgjedhur lokal t’i flasë Presidentit me një gjuhë të tillë të papranueshme? Nuk ka ndodhur kurrë më parë në Shqipëri, nuk ka ndodhur. Natyrisht, ajo është një çështje që reflekton formimin, kulturën, edukatën individuale, por reflekton nga ana tjetër edhe ambientin, i cili kultivon këtë mënyrë të sjelli dhe kontrasti i madh është me këtë pjesë tjetër të qytetarëve të Shqipërisë, të cilët qëndrojnë atje pavarësisht dhunës verbale, padrejtësisë së madhe sociale dhe shoqërore që u bëhet, qëndrojnë atje me dinjitet dhe kërkojnë të diskutohet, kërkojnë të qëndrohet dhe sillet në mënyrë të civilizuar për mënyrën që shqetësojnë sot qytetin e Tiranës apo gjithë qytetet e tjera në vend”, u shpreh Presidenti Nishani.

R.POLISI

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërBasha: Energji falas deri në 200 kilovat për familjet e varfëra