Presidenti me shoqërinë civile: Nuk do t’u zhgënjej për plehrat

“Nuk do ta zhgënjej asnjëherë interesin publik të qytetarëve”. Kjo është përgjigjja e Presidentit Nishani në lidhje me shqetësimin mbarëpopullor për ligjin Rama të sjelljes së plehrave në vend.
Presidenti Nishani zhvilloi dje një takim konsultues me përfaqësues të Aleancës kundër Importit të Plehrave, ekspertë mjedisorë dhe qytetarë, të cilët ngritën shqetësimin dhe parashtruan para kreut të shtetit kërkesën për mosdekretimin e disa ndryshimeve në Ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve dhe rikthimin e tij për shqyrtim në Parlament.
Përfaqësuesit e Aleancës kundër Importit të Plehrave, aktivistët civilë, si dhe ekspertët ligjorë dhe mjedisorë, shprehën mirënjohjen dhe vlerësimin ndaj Presidentit të Republikës si garant i Kushtetutës për angazhimin e tij personal dhe institucional në drejtim të zgjidhjes së drejtë të çështjes, bënë një përshkrim të situatës aktuale, si dhe paraqitën argumentet e tyre për disa të meta thelbësore dhe mungesën e standardeve, në hartimin e Ligjit për Importin e Mbetjeve, me pasoja negative në jetën e qytetarëve.
Pasi renditën argumentet e tyre të shumta që nisin nga ato mjedisorë, ligjorë, të shkeljes së të drejtave të njeriut, të së drejtës për informim e deri te ruajtja e shpresës dhe sigurimin e një jete sa më të mirë për fëmijët dhe brezat e ardhshëm, aktivistët civilë dhe pjesëmarrësit në takim çmuan “angazhimin e përgjegjshëm qytetar dhe institucional të Presidentit si përfaqësues dhe garantues i të drejtave dhe interesave të sovranit”.
Kreu i shtetit shqiptar, duke e konsideruar çështjen e Ligjit për Importin e Mbetjeve si të një rëndësie madhore, me një ndjeshmëri të madhe në opinion publik e me ndikim të gjerë dhe afatgjatë në jetën e qytetarëve shqiptarë, e çmoi së tepërmi takimin konsultues me përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambientalistët si “shumë të vlefshëm në procesin e shqyrtimit dhe dekretimit të tij me seriozitet dhe përgjegjësi maksimale”.
“Çështjen dhe kauzën tuaj, për të cilën duhet të vazhdoni të këmbëngulni, po e trajtoj me shumë seriozitet ligjor, institucional dhe personal, jo vetëm në cilësinë e kreut të shtetit, por edhe si një qytetar shqiptar dhe si prind. Ju garantoj se përsa kohë do të jem në këtë zyrë, nuk do ta zhgënjej asnjëherë interesin publik të qytetarëve!”, u shpreh Presidenti Nishani.
Ky takim konsultues, i thirrur përpara se Presidenti i Republikës të shprehet si interpretues i parë i Kushtetutës së Republikës, është i rëndësishëm, jo vetëm në aspektin juridik dhe legjislativ, por edhe në atë të interesit të qytetarëve për shkak të ndjeshmërisë së madhe që ka shkaktuar në opinion publik aprovimi i këtyre ndryshimeve ligjore në Kuvend.
Një muaj para miratimit të ligjit për importin e plehrave në Parlament, edhe qeveria është shprehur kritike. Përmes një rezolute të mbajtur të fshehur, Këshilli i Ministrave paralajmëron mbi rreziqet e tregut dhe thekson se industrisë së riciklimit nuk i duhet importi për të mbijetuar, pasi 83% e mbetjeve që prodhohen në vend rezultojnë të paricikluara.
Vetëm pak javë para miratimit në Parlament, edhe Këshilli i Ministrave ka shprehur rezerva të forta përsa i përket rikthimit të importit të plehrave. Kjo rezulton nga një rezolutë e fillim-gushtit përmes së cilës, qeveria jep mendimin e saj për ligjin e propozuar nga 3 deputetë të majtë, Eduard Shalsi dhe Ervin Bushati i PS-së, si dhe Bujar Derveni i LSI-së. Relacioni, i cili nuk është bërë publik nga 3 propozuesit e ligjit gjatë fazës së diskutimeve, thekson se një prej rreziqeve kryesore ka të bëjë me vetë tregun e riciklimit të mbetjeve dhe mundësinë që mos respektimi i kontratave ka kthejnë Shqipërinë në vend grumbullimi të disa milionave mbetjesh shtesë.

Shoqëria civile: Mos dekreto ligjin

Përfaqësues të Aleancës kundër Importit të Plehrave (AKIP) dhe qytetarë të angazhuar takuan dje Presidentin Nishani për të kërkuar mosdekretimin e ligjit për importin e plehrave, miratuar nga Kuvendi më 22 shtator.
Qytetarët u shprehën se, ligji është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe rregullores së Kuvendit. Ata argumentuan se ligji u hartua dhe miratua në shkelje të hapur të Konventës Aarhus, të Ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligjit për Mjedisin dhe një sërë vendimesh të Këshillit të Ministrave.
Ata shprehën, gjithashtu dhe shqetësimin për dëmtimin e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, pasojë e importit dhe riciklimit të plehrave në vend.
Presidenti Nishani, që ende nuk ka bërë dekretimin e ligjit, shprehu gatishmërinë e tij për të marrë parasysh argumentet e kërkesat e qytetarëve dhe për të respektuar interesin publik.
Ky takim konsultues, i thirrur përpara se Presidenti i Republikës të shprehet si interpretues i parë i Kushtetutës së Republikës, është i rëndësishëm, jo vetëm në aspektin juridik dhe legjislativ, por edhe në atë të interesit të qytetarëve, për shkak të ndjeshmërisë së madhe që ka shkaktuar në opinion publik aprovimi i këtyre ndryshimeve ligjore në Kuvend.

Exit mobile version