Presidenti pret një grup qytetarësh të angazhuar për protestën kundër betonizimit të parkut

Presidenti Bujar Nishani priti dje në institucionin e Presidentit të Republikës një grup qytetarësh të angazhuar në mënyrë aktive në denoncimin dhe kundërshtimin e ndërtimit tek Parku i Liqenit të Tiranës si dhe të procedurave që po ndiqen në brendësi të hapësirës së gjelbërt të këtij parku në Tiranë.

Pasi u uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë e tij për praninë e tyre në institucion dhe takimin me ta, Kreu i Shtetit theksoi se, “kjo kauzë dhe të gjithë elementët që kanë dalë prej saj duhet të sensibilizojnë e motivojnë të gjithë aktorët e shoqërisë; politikbërës dhe qytetarë, pa dallime”.

Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu shqetësimin e tij ndaj mungesës së reagimeve të institucioneve shtetërore, por edhe Shoqërisë Civile, për të marrë përsipër secila palë detyrat e angazhimet përkatëse në raste të tilla. Kreu i Shtetit u kërkoi përfaqësuesve të qytetarëve të angazhuar në këtë kauzë për të vijuar dhe shprehur lirshëm mendimin e tyre në mbrojtje të çështjeve të mjedisit, por edhe për ligjshmërinë e të gjithë procesit të ndjekur për projektin ndërtimor në brendësi të Parkut të Liqenit në Tiranë.

Nga ana e tyre, pjesëtarët e grupit gjatë bashkëbisedimit shprehën indinjatën për mungesën e përgjigjeve nga shumë institucione shtetërore ndaj interesimit të tyre, si dhe falënderuan Presidentin e Republikës për mundësinë e krijuar për bashkëbisedimin dhe dëgjimin e detajeve të çdo shqetësimi të hasur në më shumë se tre javë protesta.

Përfaqësuesit e Shoqërisë Civile u shprehën se kanë gjetur mbështetjen e Presidentit për kauzën e tyre për të kundërshtuar projektin tek liqeni. “Presidenti do të na bashkohet në protestën tonë. Morëm mbështetje nga Presidenti Nishani për kauzën. Presidenti do diskutojë me Kryeprokurorin Llalla mbi padinë tonë”, pohuan përfaqësues të Shoqërisë Civile.

Anëtarët e grupimit qytetar ftuan Kreun e Shtetit për të vizituar nga afër vendin ku po zhvillohet projekti ndërtimor në një kohë të përshtatshme.

 

Artikulli paraprakPolicia dështon në Elbasan, rendi në dorë të vrasësve
Artikulli tjetërRama-CEZ, mazhoranca nuk lejon hetimin për aferën