Joseph E. Stiglitz
Fitorja e jashtëzakonshme e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara bëri diçka të qartë: shumica e amerikanëve – veçanërisht meshkujt e bardhë – ndihen të lënë pas dore. Nuk është vetëm një ndjesi. E vërteta është që shumë amerikanë janë lënë pas dore. Kjo mund të shihet tek të dhënat zyrtare, jo më pak se në zemërimin e tyre. Është thënë e stërthënë që një sistem ekonomik që nuk ofron avantazhe për pjesën më të madhe të popullsisë është një sistem ekonomik i dështuar. Atëherë çfarë duhet të bëjë Presidenti i zgjedhur Trump me këtë?
Gjatë pjesës së fundit të shekullit të mëparshëm, rregullat e sistemit amerikan janë rishkruar shumë e shumë herë për t’i shërbyer shoqërisë që qëndron në majë, por duke e dëmtuar ekonominë në tërësi, veçanërisht për 80 për qindëshin e popullsisë që ndodhet poshtë. Ironia e fitores së Trumpit ishte pikërisht Partia Republikane që ai tani drejton, ajo që shtyu globalizimin ekstrem dhe nuk pranoi strukturën politike që do të kishte amortizuar traumën që do të shoqëronte atë. Por historia ka rëndësi të madhe pikërisht për të kuptuar këto fakte.
Kina dhe India janë tashmë të integruara në ekonominë globale. Përveç kësaj, teknologjia ka avancuar aq shpejt sa numri i punëve në industrinë e prodhimit zvogëlohet dita-ditës.
Problemi është që Trump e ka shumë të vështirë të risjellë një numër domethënës vendesh të reja pune në industrinë e prodhimit në Shtetet e Bashkuara. Ai mund të rikthejë industrinë e prodhimit, por vendet e punës do të jenë përsëri të pakta. Ai mund të risjellë edhe vendet e punës nga jashtë shtetit, por do të jenë punë që do të paguhen pak për standardin e ekonomisë amerikane, jo si punët me paga të kënaqshme të viteve 1950. Nëse Trump kërkon me të vërtetë të mposhtë pabarazinë, ai duhet të rishkruajë edhe një herë rregullat, në mënyrë që ato t’i shërbejnë shoqërisë, jo biznesmenëve si ai.
Rregulli i parë i biznesit është që të nxiten investimet, duke gjeneruar kështu një rritje të madhe afatgjatë. Veçanërisht Trumpi mund të jetë personi i duhur për të rritur shpenzimet në infrastrukturë dhe kërkime. Fakti më befasues për një vend, suksesi ekonomik i të cilit bazohet në inovacion, është që pjesa e GDP-së për investime dhe kërkime është sot më ulët se gjysmë shekulli më parë.
Përmirësimi i infrastrukturës duhet të nxisë kthimet nga sektori privat, të cilat kanë filluar të reduktohen. Duke siguruar akses më të madh financiar nga sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, përfshirë edhe ato të kryesuara nga femrat, do të stimulonte investimet private. Taksa e karbonit do të sillte tri avantazhe të mëdha: rritje më të madhe për firmat që të reflektojë kostot e emetimit të karbonit, mjedis më të pastër dhe të ardhura që mund të përdoren për të financuar infrastrukturën dhe përpjekje direkte për të ngushtuar hendekun e ndarjes ekonomike të Amerikës.
Nevojitet gjithashtu një qasje gjithpërfshirëse për të përmirësuar rishpërndarjen e të ardhurave në Amerikë, e cila është një ndër më të këqijat e ekonomive të zhvilluara. Ndërkohë që Trump ka premtuar të rrisë pagën minimale, duhet parë nëse ka ndërmend të ndërmarrë ndryshime radikale si forcimi i të drejtave të punëtorëve, si dhe kufizimin e kompensimeve për postet më të larta ekzekutive të kompanive. Reformat rregulluese duhet të bëjnë më shumë se sa të kufizojnë dëmet dhe të sigurohet që sektori financiar t’i shërbejë më në fund shoqërisë.
Në muajin prill, Këshilli i Këshilltarëve Ekonomikë të Presidentit Obama publikoi një raport ku shfaqej rritja e përqendrimit të tregut në shumë sektorë. Kjo do të thotë se konkurrenca është ulur dhe çmimet janë rritur – mënyra më e sigurt për të ulur të ardhurat dhe pagat e amerikanëve. Shtetet e Bashkuara, nën drejtimin e Presidentit Trump, kanë nevojë të zgjidhin problemin e përqendrimit të biznesit dhe pushtetit në duart e gjithnjë e më pak njerëzve.
Sistemi regresiv i taksave në Amerikë, i cili ushqen akoma më shumë pabarazinë, po ndihmon vetëm të pasurit që të bëhen më të pasur, pra duhet të reformohet. Në mënyrë më e dukshme mund të jetë eliminimi i trajtimit special të të ardhurave kapitale dhe dividentëve. Një tjetër është të garantohet që kompanitë të paguajnë taksat – ndoshta edhe ulja e taksave për kompanitë që investojnë për të krijuar vende pune në Amerikë dhe rritja e taksave për ato që nuk e bëjnë. Edhe pse ka qenë një përfitues i këtij sistemi, Trump është zotuar se do të ndjekë reforma që sjellin avantazhe për qytetarët e thjeshtë amerikanë.
Trump duhet të punojë gjithashtu për të nxitur barazinë e shanseve. Duke garantuar edukim parashkollor për të gjithë dhe investimi në shkollat publike është thelbësor për Shtetet e Bashkuara në mënyrë që mos të kthehen në një vend neofeudal, ku avantazhet dhe disavantazhet trashëgohen brez pas brezi.
Problemet e nxjerra në pah nga amerikanët e pakënaqur – pas një dekade neglizhence – nuk do të zgjidhen shpejt ose me mjete të zakonshme. Strategjia efektive do të duhet të marrë në konsideratë zgjidhje më të pazakonta, që republikanët do të duhet të miratojnë. Për shembull, individëve mund t’i lejohet të rrisin sigurinë e tyre të pensionit duke fituar më shumë para në llogaritë e sigurimeve shoqërore, gjë që do të sillte rritje të përfitimeve. Përmirësimi i kompensimeve për lejet e punëtorëve do t’i ofronte amerikanëve një balancë më pak stresuese ndërmjet jetës dhe punës.
Kanë ndryshuar shumë gjëra që kur Presidenti Ronald Reagan filloi të ofronte më shumë avantazhe për shtresën e mesme të shoqërisë duke ia hequr ato shtresës më të lartë dhe politikat, së bashku me institucionet amerikane, nuk janë adaptuar me ndryshimin e kohës. Që nga roli i gruas në fuqinë punëtore tek rritja e internetit dhe e diversitetit kulturor, Amerika e shekullit XXI është tepër e ndryshme nga ajo e viteve 1980.
Nëse Trump dëshiron vërtet të ndihmojë ata që janë lënë pas dore, ai duhet të shkojë përtej betejave ideologjike të së shkuarës. Axhenda e përshkruar më sipër nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë, por me rritjen e një shoqërie dinamike, të hapur dhe të drejtë që përmbush premtimet e vlerave amerikane dhe kjo fatmirësisht, është në sintoni me premtimet e fushatës së Trumpit. Qëllimi i Presidentit të ri do të jetë rikthimi i ëndrrës amerikane.