Presidenti reagon për taksën në “Rrugën e Kombit”: Qytetarët kanë të drejtë, qeveria duhet të rrisë transparencën

Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar për herë të parë në lidhje me taksën në “Rrugën e Kombit” dhe protestën e qytetarëve kuksianë. Meta u shpreh se si qeveria ashtu edhe opozita duhet të gjejnë gjuhën e dialogut të përbashkët mes tyre.
“Jam përpjekur të jap mesazhet e duhura, ne nuk e kemi luksin që të gabojmë për shkak të të shkuarës që vendi ka pasur. Është e domosdoshme që çdo vendim që ka të bëjë me qeverisjen të jetë i mirëmenduar. Shpresoj në një reflektim të përgjithshëm dhe në vendosjen e një dialogu, i cili ndihmon përmirësimin e mirëqeverisjes së vendit”, u shpreh Meta.
I pyetur nëse tarifa në Rrugën e Kombit është e lartë, presidenti u shpreh: Opozita ka të gjitha hapësirat që të shfrytëzojë mundësitë e saj për të rritur kontrollin parlamentar, ashtu si edhe mazhoranca duhet të jetë më e interesuar për një dialog me qytetarët dhe grupet e interesit, në mënyrë që të evitohen tensionet e panevojshme, të cila nuk i shërbejnë as vendit, dhe as demokracisë.
Për mosbindjen civile, duke përfshirë mospagimin e taksave, Meta u shpreh: Ky vend qëndron në bazë të taksapaguesve, qeveria dhe opozita duhet që të rris transparencën.

Më herët Meta kërkoi një fuqizim të shoqërisë civile, në një kohë që sipas tij “jetojmë në një klimë të papranueshme konfliktualiteti dhe përjashtimi”. Ai foli në aktivitetin e themelimit të “Aleancës Kombëtare të Studentëve Senator”.
“Për fat të keq dhe këto kohë jetojmë në një klimë të papranueshme konfliktualiteti dhe përjashtimi, arbitrariteti dhe arrogance prandaj besoj se e gjithë shoqëria jonë ka nevojë për një fuqizim të shoqërisë civile, të mendimit të pavarur përtej ideve, ideologjive dhe interesave për pushtet të forcave politike. Vendi ynë ka nevojë për institucione të tilla të besueshme, të qëndrueshme dhe të respektueshme nga të gjithë”, tha Meta.
Ai dha dhe një porosi për të rinjtë që studiojnë jashtë vendit. “Të rinjtë mos ta shohin kthimin në Atdhe me skepticizëm se nuk i krijon mundësinë për tu integruar në tregun e punës, vendimmarrje dhe qeverisje. Kam besimin se themelimi i kësaj aleance është mesazh i duhur për rininë shqiptare. Ju duhet të jeni në krye të progresit dhe emancipimit shoqëror të vendit”, tha Meta.

Exit mobile version