Presidenti Donald Trump njoftoi të enjten se do të publikojë të dhëna mbi financat e tij përpara zgjedhjeve presidenciale të 2020, duke shtuar se i takonte atij të vendoste mbi këtë çështje. Njoftimi vjen në një kohë që zoti Trump po përballet me padi e thirrje nga përfaqësues të politikës, për të publikuar të dhëna rreth taksave dhe informacione të tjera të lidhura me financat e tij.
“Unë jam i pastër dhe kur të publikoj deklaratat mbi financat e mia dikur përpara zgjedhjeve, do të tregoj vetëm një gjë, që jam shumë më i pasur nga sa mendonin njerëzit dhe kjo është një gjë e mirë”, shkruante zoti Trump në një postim në Twitter, por pa dhënë detaje mbi pretendimet e tij mbi pasurinë që disponon.
Presidenti Trump shkruante gjithashtu se hetimi dy vjeçar i ish-Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, që së fundmi çoi në dënimin e ish-këshilltarit të tij, Roger Stone, tregoi siç shkruante, se ai nuk kishte asnjë problem me financat.
Presidenti shkruante se zoti Mueller kishte kontrolluar gjithë situatën e tij financiare si dhe taksat e tij dhe se nuk kishte gjetur asgjë shqetësuese. “Tashmë gjuetia e shtrigave po vazhdon në nivel lokal në Nju Jork me prokurorët demokratë që po kontrollojnë çdo marrëveshje financiare që unë kam bërë. Kjo nuk i ka ndodhur kurrë më parë me Presidentin. Ajo çka ata po bëjnë nuk është e ligjshme”, shkruante zoti Trump.
Donald Trump është kandidati i parë për president i një force të madhe politike që nga koha e Gerald Ford-it në 1976-n, që nuk publikon të dhëna rreth pagesës së taksave.
Ndërkohë, një gjykatë apeli në New York mori vendimin që firma e kontabilitetit e cila punon prej një kohe të gjatë me financat e zotit Trump, t’i dorëzojë prokurorëve të dhëna për tetë vjet pagesa të taksave nga ana e zotit Trump.