Presidenti amerikan Donald Trump foli me një farë optimizmi rreth bisedimeve tregtare me Evropën, por e la në tryezë kërcënimin për tarifa të reja ndaj automjeteve evropiane.
Prej kohësh, ai ka akuzuar Bashkimin Evropian se përfiton nga një avantazh i padrejtë tregtar, duke kërcënuar se do të vendosë tarifa të reja ndaj makinave evropiane dhe pjesë të tyre të këmbimit, një produkt i rëndësishëm eksporti, veçanërisht për Gjermaninë, ekonomia më e madhe e eurozonës.
Pas një takimi me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Davos, Presidenti Trump tha se pati bisedime “shumë të mira” por pohoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, Uashingtoni do të shihte me përparësi mundësinë e tarifave ndaj automjeteve.
“Ne shpresojmë të jemi në gjendje të bëjmë një marrëveshje me Evropën. Dhe nëse ata nuk bëjnë një marrëveshje ne sigurisht do ta studiojmë me përparësi këtë mundësi,” tha ai.
Shtetet e Bashkuara këtë muaj arritën marrëveshje të reja tregtare me Kinën, Meksikën dhe Kanadanë, duke rishikuar marrëveshjet e mëparshme, që presidenti thotë se ishin të padrejta.
Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin tha se këto marrëveshje mund të nxisin rritjen e ekonomisë së SHBA këtë vit dhe se kjo rritje do të tejkalonte parashikimet më të mira, përfshirë ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Shtëpia e Bardhë e ka shtyrë vazhdimisht vendimin nëse do të vendosë tarifa deri në 25% për makinat evropiane, duke i përdorur këto kërcënime si levë në negociata.
Sektori i gjerë i prodhimit industrial në Evropës u zhyt në recesion vitin e kaluar, kryesisht për shkak të rënies së kërkesës për automjete eksporti, duke rritur presionin mbi zyrtarët e BE-së që ata të bien dakord për një marrëveshje.
“Populli amerikan dhe ai evropian janë miq të mirë, dhe pikërisht kjo duhet të shërbejë si bazë. Ne vërtet kemi çështje për të diskutuar dhe do të negociojmë,” i tha zonja Von der Leyen Presidentit Trump.
Kërcënimi i Presidentit Trump për të vendosur tarifa ndaj një eksporti të rëndësishëm evropian ka sjellë reagime të forta nga zyrtarë dhe kompani evropiane, të cilët janë punëdhënësit kryesorë në bllokun e BE-së.