Presidenti Donald Trump premtoi mbështetje të plotë për ushtrinë amerikane në një fjalim që ai mbajti gjatë vizitës në Komandën Qendrore të Shteteve të Bashkuara, CENTCOM, në bazën ajrore MacDill në Tampa të Floridës.
Në fjalimin e shkurtër që mbajti pas një dreke me personelin e ushtrisë, zoti Trump shprehu mbështetje të fuqishme për NATO-n, por shtoi se “ne kërkojmë që të gjitha vendet anëtare të Aleancës të japin kontribut financiar”.
Presidenti foli kundër grupit Shteti Islamik, për të cilin ai tha se është angazhuar “në një fushatë gjenocidi” në mbarë botën. Pa përmendur urdhrat ekzekutivë që ai ka nënshkruar javën e fundit për kufizimin e imigracionit në Shtetet e Bashkuara, zoti Trump tha është përpjekur dhe do të vazhdojë të përpiqet për ta mbajtur larg vendit terrorin islamik radikal.
Kjo ishte vizita e parë në CENTCOM e Presidentit Trump, pas fillimit të detyrës.