Presidenti ukrainas bën bilancin e konfliktit të përgjakshëm: 43,000 ushtarë janë vrarë gjatë luftës me Rusinë

Rreth 43,000 ushtarë ukrainas janë vrarë që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, thotë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa pranon se numri i të vrarëve është shtuar kohët e fundit.

 

Në një postim në mediat sociale, presidenti ukrainas tha se janë raportuar 370,000 të lënduar, megjithëse kjo shifër përfshin edhe ushtarë që janë lënduar më shumë se një herë gjatë luftimeve.

Zelensky pohoi gjithashtu se 198,000 ushtarë rusë janë vrarë dhe 550,000 të tjerë janë plagosur, raporton BBC.

Ndërsa Kievi dhe Moska kanë publikuar rregullisht vlerësimet e humbjeve të palës tjetër, ata kanë hezituar të flasin me detaje për bilancin në vendin e tyre.

Shifra e re shënon një rritje të konsiderueshme të vdekjeve në Ukrainë që nga fillimi i vitit.

Hera e fundit që Zelensky dha një përditësim mbi viktimat e Ukrainës ishte në shkurt, kur ai vlerësoi vdekjet në 31,000.

Presidenti ukrainas mendohet se u detyrua të fliste për numrin e të vrarëve, pasi presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në mediat sociale se Ukraina kishte “humbur në mënyrë qesharake” 400,000 ushtarë, ndërsa rreth 600,000 rusë ishin vrarë ose plagosur”.

Presidenti i ardhshëm, i cili prej kohësh e ka bërë të qartë se dëshiron t’i japë fund luftës, tha se shumë jetë janë “shkatërruar pa nevojë”.

Vlerësimet e Zelenskyt për humbjet ruse janë të ngjashme me ato të dhëna nga zyrtarë të lartë perëndimorë, të cilët vlerësojnë se Rusia ka pësuar rreth 800,000 viktima, të vrarë dhe të plagosur.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thotë se Rusia pësoi 45,680 viktima vetëm në nëntor – më shumë se çdo muaj që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të plotë në shkurt 2022.

Sipas vlerësimeve të fundit të Inteligjencës Mbrojtëse të Mbretërisë së Bashkuar, mesatarisht 1,523 ushtarë rusë vriten dhe plagosen çdo ditë.

Artikulli paraprakPërgjimet në “Sky ECC”/ EUROPOL i dorëzon Greqisë 4500 dosje! Pritet të zbardhen skemat dhe krimet e bandave kriminale, mes tyre dhe shqiptarë
Artikulli tjetër“Lista me librat që duhet të zhduken nga qarkullimi”- Vendimi i Enver Hoxhës në 1975, si u persekutuan shkrimtarët