Presidentja e Brazilit do të gjykohet për manipulim të defiçitit në rritje në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2014. Vendimi u mor nga dhoma e ulët e kongresit me 38 vota pro dhe 27 kundër. Votimi final do të merret me 17 dhe 18 prill nga dhoma e lartë e parlamentit, dhe nëse ajo voton pro Dilma Roussef pezullohet nga detyra.
Presidentja e Brazilit Dilma Rousseff ka marrë një goditje të rëndë pasi Komiteti i Dhomës së Ulët i Kongresit të vendit votoi pro gjykimit të saj mbi akuzat se ka manipuluar shifrat e buxhetit të shtetit gjatë vitit 2014.
Nga 65 anëtarë gjithsej, 38 prej tyre votuan pro dhe 27 kundër rekomnadimeve për shkarkim të saj me argumentin se Rousseff ka fshehur defiçitin në rritje të vendit në atë periudhë. Tashmë e gjithë vëmendja do të përqendrohet në 17 dhe 18 prill, kur do të mbahet edhe votimi i plotë në dhomën e ulët të parlamentit. Kjo çështje ka ndarë shoqërinë braziliane, teksa kryeqyteti po përgatitet për protesta të mëdha.
Gjithashtu edhe votimi në komision u shoqerua me debate dhe skena kaotike mes mbështetësve të saj dhe atyre që kërkojnë largimin. Këta të fundit me pankarta në duar bërtisnin Dilma largohu. Votimi i komitetit është kryesisht simbolik, por shihet gjerësisht si masë paraprake për votimin final në dhomën e ulët të kongresit.
Nëse 2/3 e dhomës së Ulët të Parlamentit votojnë në favor të largimit të saj gjatë votimit të 17 prillit, kërkesa për largim pastaj do të dërgohet në Senat. Nëse edhe dhoma e Lartë e Parlamentit do të pajtohet me shumicën e thjeshtë për ta dërguar Rousseff në gjykim, ajo pastaj do të pezullohet nga pozita e saj.