“Presim shumë nga Armando Sadiku”

Transferimi i Armando Sadikut te Lugano në formë huazimi nga Zyrihu për pjesën e mbetur të sezonit është lidhur përgjithësisht me emërimin e Paolo Tramezzanit trajner i kësaj skuadre. Sigurisht që prania e ish-ndihmësit të De Biasit në stolin e klubit jugor të Zvicrës ishte një motiv më shumë për ta bindur sulmuesin shqiptar që ta pranonte këtë lëvizje, por presidenti i Luganos, Angelo Renzetti shpjegon arsyet pse këmbënguli për Sadikun janë më madhore.
“E afruam Sadikun sepse ishim të detyruar. Aguirre nuk dëshironte të qëndronte me ne, ndërsa Rosseti u dëmtua. Kishim nevojë për një sulmues cilësor. Sigurisht që ai është shumë i lidhur me Tramezzanin dhe ne presim shumë nga ai. Ka pësuar disa dëmtime gjatë kohëve të fundit, ndaj i duhet të arrijë formën fizike të të tjerëve”, u shpreh Renzetti.
Përsa i përket arritjes së marrëveshjes me Tramezzanin, Renzetti zbulon aq ka qenë pranë marrëveshjes me ish-ndihmëstrajnerin e Shqipërisë që pas përfundimit të Kampionatit Europian.
“Bisedimet po zgjateshin ndërsa ne duhet të ishim gati për startin e kampionatit. Kjo është arsyeja pse nuk e mora në verë Tramezzanin. M’u desh të hiqja dorë atëherë. Skuadra është e përqendruar dhe po e ndjek trajnerin. Është kthyer filozofia e punës. Jam i bindur se Tramezzani do të ketë një karrierë shumë të suksesshme. Ai ka karakteristikat që më pëlqejnë: është shumë punëtor dhe kurajoz”, tha ai. Prova e parë e Sadikut dhe Tramezzanit te Lugano do të jetë transferta me Baselin më 4 shkurt, për javën e 19-të të Superligës së Zvicrës.

Artikulli paraprakMavraj flet për Hamburgun
Artikulli tjetërDe Biasi në Hamburg dhe Zyrih për kuqezinjtë