I pakënaqur me minutat që mori këtë sezon nga trajneri Zinedin Zidan, Alvaro Morata është i bindur se duhet të largohet nga Reali për të qenë protagonist. Zhoze Murinjo po e pret krahëhapur, por në fakt është skuadra spanjolle që po e bllokon transferimin e tij, duke dashur të përfitojë sa më shumë në aspektin ekonomik. Reali e ka kuptuar që Morata do të largohet dhe është thjesht çështje orësh transferimi i tij në Mançester, por është duke luajtur kartën e fundit për të marrë 85 milionë euro nga kartoni i tij.
Sulmuesi spanjoll ka arritur marrëveshjen me “djajtë”, ndërkohë që klubi dhe drejtuesit duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët me njëri-tjetrin. Junajtid e ka rritur ofertën deri në 74 milionë euro, shifër që fillimisht dukej se kënaqte edhe Realin. Mirëpo, këta të fundit filluan t’i rrisnin pretendimet nga dita në ditë për të përfituar sa më shumë.
Aktualisht, kërkon 85 milionë euro për ta lënë të lirë të largohet. Diferenca është afërsisht 10 milionë euro dhe palët duhet të diskutojnë në ditët e ardhshme. Lojtari ua ka bërë të qartë drejtuesve që nuk ka dëshirë të qëndrojë më dhe po pret që t’i japin lejen për të nisur zyrtarisht procedurat e transferimit.
Dëshira dhe ëndrra e 24-vjeçarit spanjoll është të luajë dhe të fitojë një kampionat botëror, por ish-trajneri që e ka stërvitur tek të rinjtë e Realit e ka alarmuar. Alberto Toril ka thënë se, Morata duhet të largohet nga Spanja për të luajtur sa më shumë minuta, sepse në të kundërt nuk do të marrë ftesë nga Lopetegui për të luajtur në Botëror. “Ky është një vendim personal që i takon vetë Moratës dhe askush nuk duhet të ndërhyjë.
Megjithatë, ne kemi të drejtën të themi mendimin tonë. Unë gjykoj se duhet të largohet për të luajtur në një vend tjetër me vazhdimësi, sepse në të kundërt do të humbasë biletën për në kampionatin botëror të Rusisë.
Reali është një klub që kujdeset shumë për të rinjtë dhe ka akademinë më të mirë në botë, por sigurisht që të gjithë futbollistët duhet të shohin interesat e tyre. Morata ka nevojë të luajë”, ka thënë Alberto Toril.
Florentino Perez, nuk e ka mohuar se Alvaro Morata mund të largohet nga kampionët e La Ligas, por ka insistuar se nuk janë në negociata me Manchester Unitedin dhe se nuk ekziston asnjë marrëveshje siç pretendohet në media. “Mendoj se nuk jemi në negociata me Manchester Unitedin, por kjo nuk do të thotë se nuk ka njerëz përreth që flasin, kjo është normale”, tha Perez për “esRadio”. “Kam lexuar miliona herë se është arritur marrëveshja, por kjo nuk është e vërtet”, shtoi kreu i klubit spanjoll. Morata shënoi 20 gola në gjitha garat në sezonin e parë, pasi u kthye në Madrid, por ka startuar në vetëm 14 ndeshje në La Liga.