Presionet mbi procesin e Vettingut

Vendimi i deputetëve socialistë për të futur në ujë propozimet e institucioneve të vetingut për numrin e punonjësve ndihmës i dha një kthesë të papritur zbatimit të Reformës në Drejtësi këtë shtator, kur prioriteti kyç i mandatit të parë të Ramës u retushua nën argumentin e nevojës për të kursyer. Mazhoranca parlamentare vendosi t’i japë tre institucioneve të vetingut 40 për qind më pak staf mbështetës nga sa qe kërkuar, ndërsa premtimi tjetër për paga të larta u prit me zhgënjim nga komisionerët dhe u shoqërua me akuza nga partitë politike në opozitë, ndërkohë që shkaktoi habi mes mbështetësve të Reformës në Drejtësi në radhët e Shoqërisë Civile.
“Edhe sikur ta çoja në ‘ad absurdum’ fantazinë, nuk mund ta imagjinoja që avancimi i Reformës në Drejtësi të degradonte në një çështje monetare”, tha Arjan Vasjari, pedagog i Filozofisë së të Drejtës dhe analist politik për BIRN. Ndërsa e quan racional një ballafaqim mes analizës ekonomike dhe parimit të autonomisë së institucioneve, Vasjari thekson se qëndrimi politik nuk përligjet as nga fryma dhe gërma e ligjit dhe as nga rëndësia përcaktuese që ky proces ka sipas tij për të gjitha ingranazhet e sistemit. “Ka mjaft institucione që mund të futen në dietë financiare, institucionet e vetingut nuk mund të jenë kurrsesi ndër ato”, shtoi ai.
Në dy raunde të tensionuara diskutimesh përballë Komisionit të Çështjeve Ligjore, drejtuesit e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Komisionerët Publikë, argumentuan pa sukses se stafi mbështetës prej 185 punonjësish në total ishte i domosdoshëm për efikasitetin e procesit. Ata këmbëngulën se kishin studiuar strukturat e institucioneve të ngjashme ekzistuese të drejtësisë; Gjykata Kushtetuese ka 54 punonjës, Avokati i Popullit 56 dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë 50 të tillë. Shumica e kartonëve në Komisionin e Ligjeve i cilësoi të ekzagjeruara kërkesat, ndërsa vendosi të miratojë 110 punonjës në total për të tria institucionet dhe një pagë mesatare për komisionerët që kap vlerën bruto të 302 mijë lekëve. Vasjari nuk është i vetëm në argumentin se shkurtimet janë të papërligjura.
Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, kritikon gjithashtu sjelljen e mazhorancës si pronare të fondeve publike dhe përdorimin e mandatit të saj për të kushtëzuar mbështetjen financiare për organet e vetingut. “Logjika e përdorimit të mandatit të shumicës parlamentare për të kushtëzuar mbështetjen financiare për organet e pavarura në tërësi është logjikë politike, jo institucionale dhe një formë indirekte presioni”, tha Krasniqi për BIRN.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit-me të cilin si institucionet e rivlerësimit ashtu edhe Komisioni i Ligjeve thanë se ishin konsultuar për buxhetin, preferoi të qëndronte jashtë këtij debati. Në përgjigje të pyetjeve të BIRN, ONM u shpreh se është përgjegjësi e autoriteteve shqiptare të shpërndajnë burimet e duhura njerëzore dhe financiare për institucionet e vetingut. “Ne mbështetemi te Parlamenti për të bërë çfarë është e nevojshme në sigurimin e burimeve të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për strukturat vendase, për të kryer detyrat e tyre dhe për të filluar operacionet sa më shpejt që të jetë e mundur”, deklaroi ONM.
Rokada e përplasjes politike
Tre projekt-vendimet për strukturën dhe nivelin e pagave të tre institucioneve të vetingut pritet të zënë pjesën kryesore të debatit në seancën e së enjtes në Kuvend, ku janë parashikuar për t’u votuar. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim në opozitë-të shigjetuara që të dyja në të shkuarën nga kryeministri Rama për tentativa bllokuese ndaj reformës nxituan t’i kthejnë reston, duke kërkuar mbështetjen pa asnjë rezervë të kërkesave të shtruara nga institucionet. Zëvendëskryetari i Komisionit të Çështjeve Ligjore, Eduard Halimi i tha BIRN se, Parlamenti nuk ka të drejtën që t’u caktojë buxhetin këtyre institucioneve, por të miratojë propozimet e tyre.
“Qëllimi i vërtetë është që këto institucione të lihen pa kapacitete dhe pa mundësi për të realizuar vetingun, në mënyrë që këtë ta bëjnë më pas institucionet ndihmëse të kontrolluara nga Rama”, tha Halimi. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ngriti gjithashtu alarmin për një minim të procesit të vetingut, përmes një letre drejtuar ambasadorëve Donald Lu dhe Romana Vlahutin, të cilën ajo e publikoi mbrëmjen e së mërkurës në Facebook. “Si mund të vlerësohet pasuria e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve nga 9 këshilltarë ekonomikë, ndërkohë që ILDKPKI ka përfshirë në këtë proces të gjithë strukturën e saj”, pyet Kryemadhi në letrën për ambasadorët.
“Qartazi nga ana e mazhorancës ka një tendencë të hapur për t’i kapur këto institucione kushtetuese…”, shton ajo. Vendimi i shumicës është konsideruar i papranueshëm edhe nga dy prej 3 institucioneve të vetingut. Kryetarja e Kolegjit të Apelimit, Natasha Mulaj tha se, propozimet e tyre reflektonin ligjet e miratuara nga deputetët dhe se shkurtimet po cenojnë efikasitetin e procesit. “Ne nuk duam luks. Ne duam një strukturë që procesi të jetë efikas. Po e reduktuat dhe e çuat në këtë numër strukturën e Kolegjit të Apelimit, unë mendoj se ju po cenoni pavarësinë..”, tha Mulaj më 25 shtator në Komisionin e Ligjeve.
I pyetur nga BIRN nëse shkurtimet në staf dhe paga do të dëmtonin procesin e vetingut, kryetari i Komisionit të Çështjeve Ligjore u përgjigj se, “në të vërtetë ka rritje dhe jo ulje”. “Kemi miratuar çdo kërkesë të përcaktuar nga nenet 18, 19, 29 të ligjit pa ceduar shërbimin ligjor të këtyre institucioneve”, tha Manja. Në një mbledhje të përbashkët mes deputetëve dhe ministrave të Partisë Socialiste, Manja theksoi se është garantuar funksionimi normal i këtyre institucioneve për strukturën dhe klasën e pagës dhe se Kuvendi nuk është për të përcaktuar masën e shpërblimit mbi pagën. Fryma e këtij qëndrimi është mbështetur edhe nga Kryeministri Rama në të njëjtën mbledhje, teksa tha se është respektuar principi bazë i reformës për mbështetje ekstra financiare. “Asnjë institucion, qoftë edhe pa dashje nuk do të bjerë në formën e tepsisë….E rëndësishme është që të përdoret eficensa maksimale dhe jo të ekzagjerohet me masa që sjellin efektet e kundërta.

Marrë nga BIRN

Exit mobile version