Presioni ndërkombëtar dhe kongresi i turpit!

Nga Gjergji Nika

Ju kujtohet? Kur ishim të vegjël qarkullonte një anekdotë që një shqiptar luante me fjalë me një të huaj dhe i thoshte fjalën plenum. I huaji nuk ia dinte kuptimin kësaj fjale, derisa shqiptari triumfator i thoshte: Plenum është një mbledhje ku disa vetë mblidhen e i presin kokën njërit…
Këtë anekdotë më solli në mendje mbajtja e kongresit të PS, të cilin e kishin shtyrë disa herë.

Nga gjithkush kjo shtyrje u interpretua në mënyra të ndryshme, por të gjitha mendimet konvergonin në një pikë: “Që Edi Rama edhe në në ketë kongres do të pretendonte se çdo sukses është arritur veç prej tij!”

Dhe kongresi do të duhej të shërbente si një himn vetëm për të, prijësit, i cili vendos i vetëm për gjithçka e për gjithkënd.
Aq më tepër për ndryshimet në qeveri, të cilat Rama mund t’i bënte në një mbledhje qeverie, ose nga foltorja e qeverisë.

Por jo! Kryeministrit i duhej kongresi për të treguar se është i gjithëpushtetshëm në qeveri e në parti, madje ndryshimet ndodhin edhe sipas humorit të tij dhe partia është në funksion të pushtetit të tij!

Në këtë kontekst kongresi dëshmoi për një mungesë të theksuar demokracie, ndërsa Edi Rama e tha qartë se nuk ka pasues, sikundër pretendohet nga ndonjë ambicioz arrivist.

Për sa kohë ai do të jetë atje nuk do të ketë pasues. Ndryshimet në Qeveri alla Edi Rama, d.m.th nuk e dinë as ata që shkarkohen, dhe as ata që emërohen.

Pyetja qëndron: A u bënë këto ndryshime nga presioni i ndërkombëtarëve dhe frika e Drejtësisë?

Dyshoj, megjithëse presion duhet të ketë pasur!

Sepse Rama bëri disa ndryshime befasuese që Qeveri, ndryshime të papritura edhe të atyre ministrave, të cilët kishin arritur ndonjë farë rezultati, si rasti i Ervin Metes te Financat, për të cilin thuhet se nuk firmoste për çdo kërkesë për grabitje?

Sot, në Shqipëri, asnjeri nuk mund të presë që Rama të konsultohet me të tjerë, se kë zgjedh ushtarë, shërbëtorë apo qehajaj për veten e tij. Këtu ai është koherent dhe na ka mësuar prej kohësh me këtë personalizim të skajshëm.

Pati tre emërime ministrash dhe disa lëvizje të tjera. Rama largoi Taulant Ballën pasi 1 viti në detyrë për t’ia besuar Ministrinë e Brendshme, Ervin Hoxhës.

Po ashtu largoi Niko Peleshin, për ta vendosur në krye të grupit parlamentar të PS-së.

Ervin Meten e zevëndësoi me Petrit Malajn.

Elisa Spiropalin e propozoi si kryetare Kuvendi pas dorëheqjes së Lindita Nikollës për arsye shëndetësore.

Por, si në çdo gjë duhet kërkuar edhe një POR e madhe…

Në rast se do ta shohim kongresin e PS me detaje dhe analizuar gjuhën e trupit vihet re që: Edi Rama shihet i ulur në një rresht me Gramoz Ruçin, Belinda Ballukun, Bledi Çuçin, Mirela Kumbaron dhe Erion Veliaj.

Injorimi i Ramës ndaj Veliajt është i dukshëm si dhe Veliaj shfaqet me fytyrën e tij të “dëshpëruar”e me “gisht në gojë”.

Socialistët përgjithësisht, nuk shfaqen shumë të qeshur, dikujt i kanë pëlqyer ndryshimet e dikujt jo.

Por në një pikë kongresi i PS më Kujtoi kongreset e PD- së së Berishës.

Në kongresin e PS u fol gjerë e gjatë për platformën “deputeti që duam”, ashtu sikundër flitej në PD për Primaret dhe dhënien vlerë të votës së anëtarëve. Si nga PS edhe nga PD u bëhet thirrje militantëve që t’i zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre, të jenë aktivë, të bëjnë propozime, të mobilizojnë edhe të tjerët, për të pasur më shumë zë në vendimmarrje.

Por ç‘kuptim ka të propagandosh të tilla pallavra, kur në fund historia ka treguar se si PS ashtu edhe PD e Berishës vendimet i marrin nga lart dhe pa konsultim me askënd?

Çdo mendje normale dhe çdo njeri normal do të dallonte kontradiktën mes asaj që thuhet dhe asaj që bëhet.

Por as kjo, ndoshta, nuk ka qenë një rastësi. Autokratët gjithmonë e kanë vrarë demokracinë e brendshme, pavarësisht se kanë folur në emër të saj. Autokratët tallen me ata, që pasi i nënshtrojnë, gjejnë kënaqësinë tek tallja dhe tek trajtimi si kukulla, të cilat i fton të marrin pjesë në vendimmarrje dhe nga ana tjetër kukullat thjesht aprovojnë me duartrokitje vendimet e marra.

U pretendua nga disa analistë që Rama bëri qeverinë teknike që i kërkoi Partia Demokratike.

Edhe këtu ka një kontradiktë! Mos vallë ndryshimet u bënë si pasojë e vazhdimit të marrëveshjes Berisha– Rama. Dhe ai që e “hëngri” duke kaluar nga një post shumë i rëndësishëm në qeveri, në një post pa asnjë peshë ishte Taulant Balla, i cili denoncoi aferën e Kompleksit Partizani, për të cilën Berisha mbahet në arrest shtëpie, së bashku me dhëndrrin?

Thjesht, një hipotezë është kjo…

Artikulli paraprakRikthehet McGonigal – shtrëngohet laku në qafën e Edi Ramës!
Artikulli tjetërUrdhër-arrestet për grupin e trafikut ndërkombëtar të armëve, detaje nga operacioni i SPAK! Kontrollet në disa qytete