Prestigjiozja amerikane “The Washington Post”: Tahiri rrezikon 15 vite burg

E përditshmja amerikane “The Washington Post” shkruan se Saimir Tahiri rrezikon deri në 15 vite burg, nëse shpallet fajtor ndaj akuzave për përfshirje në afera droge e korrupsioni.
Prestigjiozja amerikane pasqyron në një shkrim të saj vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për të lënë në arrest shtëpie ish-ministrin e Brendshëm.
“The Washington Post” thekson faktin se prokurorët kishin kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Saimir Tahirin, por Gjykata e la në arrest shtëpie.
Ai akuzohet se gjatë periudhës 2013 – 2017 kur drejtonte Ministrinë e Brendshme, kishte lidhje me një grup kriminal që kanë trafikuar sasi të mëdha kanabisi. Disa prej krerëve të këtij grupi u arrestuan në Itali dhe Shqipëri – vijon më tej shkrimi.
“The Washington Post” përmend faktin se ish-ministri i ka hedhur poshtë akuzat, ndërsa citohet deklarata e avokatit Maks Haxhia që e konsideroi të tepërt masën e arrestit të shtëpisë, pasi ndaj klientit të tij nuk është paraqitur asnjë provë e re.
Më tej thuhet se vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda u përshëndet edhe nga ambasadori amerikan Donald Lu, ndërsa kryeministri Rama tha se e respektonte atë duke kërkuar proces të drejtë dhe transparent.

“Asociated Press” për Tahirin
Një ish-ministër i Brendshëm shqiptar është vënë nën masën e sigurisë: “arrest shtëpiak” pasi ai është hetuar për marrjen e rryshfetit dhe përfshirjen e supozuar në një rrjet të trafikut të drogës, tha Zyra e Prokurorisë në Shqipëri.
Prokurorët kishin kërkuar që Tahiri të mbahet në paraburgim, por Denion Ndrenika, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, tha se një gjykatë e vendosi nën arrest shtëpiak.
Saimir Tahiri, 48 vjeç ishte ministër i Brendshëm gjatë viteve 2013-2017 në qeverinë socialiste të Shqipërisë dhe dha dorëheqjen si një ligjvënës një javë më parë. Ai akuzohet për lidhje me një grup kriminal të dyshuar për trafikim të sasive të mëdha të kanabisit.
Disa nga liderët e rrjetit të trafikimit u arrestuan në Itali dhe Shqipëri. Tahiri ka mohuar me forcë lidhjet me grupin. Ai ishte nën hetim për shtatë muaj. Nëse dënohet për akuzat për drogë dhe korrupsion, ai përballet me një dënim me burg maksimal prej 15 vjetësh.
Avokati i Tahirit, Maks Haxhia, tha se prokurorët nuk kanë paraqitur dëshmi të reja që justifikojnë kufizimet në lirinë e klientit të tij. Haxhia tha se do të apelojë vendimin e arrestit shtëpiak të lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, Tiranë.
Kryeministri Edi Rama tha se ai respekton vendimin e gjykatës dhe bëri thirrje për “një proces të pavarur, transparent”. Ambasada e SHBA në Shqipëri përshëndeti arrestimin e Tahirit, duke thënë në një deklaratë se “ky rast i rëndësishëm korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata”.

Artikulli paraprakTaulant Balla urdhëron dhe udhëzon Artën si duhet të hetojë Agron Xhafën
Artikulli tjetërShembja e Teatrit/ Kumbaro refuzon seancën në Parlament