Prezantohet Jorge Sampaoli: Argjentina një ëndërr për mua

Te Argjentina nis epoka Jorge Sampaoli. 58-vjeçari u prezantua zyrtarisht si trajneri i ri i përfaqësueses albiceleste, me ish-teknikun e Sevillas që ka marrë përsipër detyrën e vështirë për të kualifikuar direkt, La Selecion në Botërorin Rusi 2018 dhe mbi të gjitha për të tentuar fitimin e Kupës së Botës. Një ëndërr e bërë realitet për Jorge Sampaolin, i cili pasi u konfirmua si një trajner fitues me Kilin, ndërsa bëri mirë edhe me Sevillan, tashmë do të drejtojë përfaqësuesen e vendit të tij, duke pasuar në detyrë Edgardo Bauzën, i cili u shkarkua nga drejtimi i Argjentinës pas humbjes 2-0 ndaj Bolivisë.
“Gjithmonë e kam admiruar këtë pozicion. Është një ëndërr e bërë realitet për mua të jem trajneri i Argjentinës. Jam shumë i emocionuar dhe dua të punoj fort dhe me shumë pasion për të arritur gjëra të mëdha”, tha ai.
Momentalisht Argjentina pozicionohet në vendin e 5-të të eliminatoreve në zonën e Amerikës së Jugut, pozicion që të kualifikon në play off. Sampaoli e ka të qartë që kualifikimi direkt në Botërorin e Rusisë nuk do të jetë i thjeshtë për La Selecion, por me një lojtar si Lionel Messi në skuadër ai është i vetëdijshëm se Argjentina mund të mposhtë çdo kundërshtar.
“Fushata kualifikuese në Amerikën e Jugut është shumë e ndërlikuar për vetë faktin se ka shumë skuadra të mira që kanë të njëjtin objektiv si ne, të jenë pjesë e kampionatit botëror. Messi? Unë e dua Leon, jo të vijë këtu te Argjentina. Unë dua që ai të shkëlqejë dhe të shfaqë edhe në kombëtare versionin e tij më të mirë pasi është lojtari më i mirë në botë dhe meriton të ndihet i lumtur edhe kur luan me përfaqësuesen e vendit të tij”, përfundoi Sampaoli.

Exit mobile version