Princi i Arabisë Saudite insiston të blejë Manchester Unitedit, ja shuma marramendëse që ofron

Prindi i Arabisë Saudite, Mohammad Bin Salman, nuk do të dorëzohet në tentimin për ta blerë Manchester Unitedin për 3.5 miliardë funte, përkundër që së fundi është spekuluar për blerjen e Newcastle Unitedit.

Mohammad Bin Salman mund ta blejë Newcastle Unitedin për vetëm 340 milionë funte, pasi që pronari i shumëkritikuar Mike Ashley është i gatshëm të dëgjojë oferta sepse dëshiron të largohet nga klubi.

Por, përkundër kësaj, e përditshmja britanike Daily Mirror raporton se Bin Salman ende dëshiron që ta blejë Manchester Unitedin e jo Newcastle Unitedin, përkundër që për Djajtë e Kuq do të duhej të shpenzonte dukshëm më shumë para.

Bin Salman është kritikuar për përfshirjen e tij në sportin global përmes investimeve të mëdha, pasi që kjo shihet si mënyrë e tij dhe familjes së tij për të tentuar t’i lënë nën hije shkeljet e të drejtave të njeriut që ndodhin në Arabi nën qeverisjen e tyre.

Megjithatë, tifozët e të dyja klubeve angleze janë shprehur të gatshëm t’i mirëpresin investimet e familjes arabe, pasi që besojnë se kjo do të ndikonte në përmirësimin e situatës aktuale në klubet e tyre.

Në një sondazh të The Sun me tifozët e Manchester Unitedit, 91 për qind e të anketuarve thanë se Bin Salman do të ishte më i mirëpritur në klub sesa familja Glazer, që aktualisht e ka pronësinë e Djajve të Kuq dhe të cilët nuk duan ta shesin klubin.

Cilado skuadër që blihet nga Bin Salman mund ta presë transferimin e shumë yjeve të futbollit, pasi që familja mbretërore i ka në dispozicion 1 trilion funte për t’i shpenzuar si fond për investime.

Artikulli paraprakVeshje, mobilie, dyshekë, çfarë dhe sa importojmë nga Kina, partneri i tretë tregtar
Artikulli tjetër“Shef, jemi pa bukë! Çfarë janë këto poshtërsira që bëjnë këta qelbësirat”?