Prish shtëpi e bëj kasolle…

Nga Gentian Gaba

Me gjithë parregullsitë e zgjedhjeve të vitit 2021, diferenca mes opozitës dhe PS-së ishte vetëm 30 mijë vota. Rasti i Çyrbjes dhe shumë të tjerë faktuan se ato zgjedhje u manipuluan, zgjedhje që disa nga ata që sot sulmojnë Bashën, atëherë i quajtën “të shitura”.

Ndërsa tani, përballë një grope të frikshme elektorale, broçkullat për “statut” dhe “demokraci të brendshme”, që dikur u përdorën si justifikim për përplasjen vëllavrasëse, belbëzohen skutave, sepse në këto vite kanë “shpikur” një politikë pa guxim dhe pa karakter, me të tredhur që lëpihen për një vend në listë, pa çarë kokën për pasojat ndaj vendit.

Ata që në 2021 flisnin për “sovranizëm”, kanë paguar të paktën 6 milionë dollarë për të gjeneruar një lajm nga një gazetar amerikan, ku jepej një përgjigje standarde për mundësinë e udhëtimit të një personi të sanksionuar drejt SHBA-ve. Këtë përgjigje e shitën si “heqje të non gratës” dhe “mbështetje amerikane”. Diçka që nuk ndodhi kurrë, përkundrazi, shtoi vetëm dozën e mashtrimit ndaj atyre që për vite u ishte thënë se “nuk na duhet Amerika”, ndërsa pak orë para zgjedhjeve iu shitej si “grali i shenjtë” një cicërimë në X nga një gazetar amerikan.

Në vitin 2021 ne kishim në dorë mbështetjen dhe solidaritetin ndërkombëtar për të kërkuar ndryshime rrënjësore në standardet zgjedhore. Po sikur të mos ishte përdorur frustrimi i opozitarëve për të ndërtuar riciklimin sovranis, historia do ishte krejt ndryshe.
Po të kishin qenë burra e gra që mendonin për interesin e shqiptarëve dhe jo për fatin personal të një individi, Edi Rama sot nuk do të ishte në pushtet, dhe opozitarët nuk do të ishin të detyruar të largoheshin nga vendi.
Po të ishin burra dhe gra që vepronin në interes të vendit, nuk do të silleshin si dele, duke sabotuar Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe duke u bërë bashkë me Ramën në korrik, për të prodhuar lista-paçavure sipas kërkesës së tyre, të depozituar nga Oerdi.

Prandaj, kot qurraviten për padrejtësinë e sistemit: ndryshimet ishin të depozituara në Kuvend, por ata u strukën në xhepat e vegjël të interesave të tyre, duke i krijuar Ramës një avantazh paraprak në zgjedhje.

Pra, ndryshimi ishte në dorën e opozitës këtë vit. Rruga ishte e qartë dhe e hapur. Por me ndihmën e Ramës, i cili pa ta mbetet pa fabul, shkatërruan shtëpinë për të ndërtuar një kasolle ku strehojnë interesat e tyre të vogla.

Exit mobile version