Prishet këndi i lojërave ‘7-xhuxhat’, fillon ndërtimi i kullës 25 katëshe

Ditën e djeshme filloi prishja e këndit më të madh të lojërave në Tiranë, “7-Xhuxhat”, i cili ndodhet ngjitur me ETC-në në rrugën e “Elbasanit”, për t’i lënë vend ndërtimit të një kulle 25 katëshe. Nisma “Thurrje” ka publikuar në faqen e saj në Facebook foton e vendit të rrethuar me qindra policë. Ndërtesa parashikohet të ndërtohet nga DT1 shpk, një kompani jo shumë e njohur në Shqipëri.
Këshilli Kombëtar i Territorit e mbajti këtë projekt të fshehtë, duke mos publikuar në asnjë moment projektin e kullës. Paradoksi i këtij zhvillimi është se propaganda zyrtare ka disa muaj që flet për përkushtimin e qeverisë dhe Bashkisë Tiranë për kënde lojërash për fëmijë nëpër lagjet e Tiranës: ndërkohë këndi më i madh i lojërave dhe i vetmi kënd lojërash në qytet tashmë është viktima e radhës e babëzisë së pangopur të ndërtuesve dhe Kryeministrit Rama.
Kryeministri Rama e kishte inauguruar me shumë bujë në vitin 2001 rindërtimin e këndit të lojërave 7-Xhuxhat, kur ishte kryebashkiak i Tiranës. Mania e Kryeministrit Rama për të ndërtuar kulla duket se nuk ndalet. Kjo kullë është vetëm njëra nga 40 të tilla që kanë parashikuar të ndërtojnë në Tiranë Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj.
Një kullë po ndërtohet përballë Fakultetit Ekonomik. Me firmën e Ramës, në 9 shtator të vitit 2016 është miratuar një leje ndërtimi pallati 13 katësh. Leja është dhënë në zonën përballë Fakultetit Ekonomik, në rrugën e “Elbasanit”, pikërisht në hyrjen e Parkut të Liqenit. Në një sipërfaqe të konsiderueshme, aktualisht parkim makinash, do të ndërtohet “Godinë banimi dhe shërbimesh, 2, 7 dhe 13 kate mbi tokë dhe 2 kate parkim nën tokë”. Në fund firma. “Kryetari i KKT, Edi Rama”.
Por kjo nuk është godina e vetme. Bashkë me këtë vendim, KKT ka miratuar edhe pesë leje të tjera ndërtimi në Tiranë, të cilat variojnë nga 4 kate, deri në 10 kate lartësi. Të gjitha godina banimi dhe shërbimesh. Të gjitha lejet e reja kanë firmën e vetë kryeministrit Rama.
Betonizimi i Parkut të Liqenit ka nisur me parkun e lojërave për të vazhduar me ndërtimin e 4 kullave 25 katëshe. Në lojë janë interesa të biznesmenëve afër pushtetit. Oligarkët që do të ndërtojnë këto kulla do t’i ndajnë ato në pronësi edhe me Ramën, i cili është edhe ideatori dhe zbatuesi i këtij projekti.
Këndi i lojërave është vetëm fillimi. Punimet janë rizgjuar vrullshëm në kryeqytet pas miratimit të planit të ri rregullues dhe zgjerimit të Tiranës në pjesën veriore. Portali i Ndërtuesve prezantoi ndërtimin e dy kullave 20-katëshe “Projekti Vaqari” në mes rrugës “Jordan Misja” dhe Bulevardit të Ri. Kullat do të ndërtohen nga kompania Kontakt shpk, e cila gjithashtu e ka paraqitur zyrtarisht projektin. Projekti i Bulevardit të Ri, i cili ka përfunduar në 500 metrat e para dhe shumë shpejt do të përfundojë tërësisht deri në Lumin e Tiranës e ka sjellë zonën përreth tërësisht në parametra të tjerë.
Pjesa veriore e Tiranës poshtë unazës, nga rruga “5 Maji”, “Siri Kodra”, “Jordan Misja”, “Don Bosko” dhe deri në Laprakë është përfshirë nga një valë e re ndërtimesh. Deri më tani, kjo zonë është dominuar nga ndërtesa të ulta, ish-magazina, por projektet e Bashkisë së Tiranës sidomos me ndërtimin e Bulevardit të Ri pritet ta sjellin atë në dimensione të tjera. Tirana është duke zgjeruar me blloqe të mëdha banimi të organizuara brenda dy unazave.

 

Exit mobile version