Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit pranë qeverisë maqedonase prishi kontratën me firmën “Kioski”, duke anuluar kështu edhe gjithë tenderin për analizën e Marrëveshjes së Ohrit. Në një komunikatë me shkrim, theksohet se vetë kompania kontraktuese ka kërkuar prishjen e kontratës për shkak se nuk mundet të realizojë në kohë aktivitetet e parashikuara në kontratë, njofton “Alsat-M”.
“Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ka shqyrtuar kërkesën e kompanisë dhe ka marrë vendim që të prishë kontratën me kompaninë fituese. Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit synon që analiza, si një studim me rëndësi për përmbushjen e Marrëveshjes së Ohrit, të meritojë pjesëmarrje më të gjerë kompanish, përvojë më të thellë, në mënyrë që rezultati i saj të përbëjë një dokument me peshë dhe të detajuar, si udhërrëfyes për institucionet e tjera në përpjekjet e tyre për përmbushjen e marrëveshjes”, thuhet në reagimin e Sekretariatit.
Përndryshe, “TDS Kioski”, dje hoqi dorë nga ky projekt dhe kërkoi ndërprerjen e kontratës. Reagimi i “TDS Kioski” vjen pas dyshimeve dhe akuzave të ngritura në disa media në vend lidhur me kapacitetet e kësaj firme për analizën e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe organizimin e konferencës ku do të shpalosej analiza.