Prishja e banesave te Unaza e Madhe, banorët në revoltë, tërhiqet policia

Punonjësit e IKMT dhe policia kanë hasur në rezistencën e banorëve tek Unaza e Madhe, të cilët nuk lejojnë shembjen e banesave. Banorët që thonë se nuk janë njoftuar për prishjen dhe se banesat e tyre janë ndërtuar që në vitin 1920. “Nuk jemi njoftuar, nuk ka urdhër për prishjen. Nuk dalim nga shtëpitë, nuk kemi marrë kompensim për pronën dhe tokën”, u shprehën banorët.
Banorët e revoltuar u shprehën se do të bëhen barrikadë para fadromave për të mos lejuar shembjen e banesave. Ata deklAruan se kanë marrë vetëm premtime nga qeveria, por nuk janë dëmshpërblyer për banesat e tyre të ligjshme. Ndërkohë, IKMT-ja bën me dije se vendimi për prishjen e banesave ka dalë 3 javë më parë. Nga ky operacion parashikohen tё prishen 20 objekte gjithsej.
Pas protestës së banorëve, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes sё Territorit dhe policia u tërhoqën nga aksioni për prishjen e banesave pranë Pallatit me Shigjeta në kuadër të punimeve për Unazën e Madhe. Deri tani janё prishur 5 objekte me funksione tё ndryshme dhe nga ky operacion pritet tё vazhdojё gjatё gjithё javёs.
Pak ditë më parë, policia dhe 9 familje rome janë përplasur pas tentativës së IKMT për prishjen e banesave. Shtëpitë e romëve po shemben në kuadër të Unazës së Madhe që vijon ende ndërtimet në Tiranë. IKMT ka drejtuar makineritë kundrejt banesave të 9 familjeve rome, por të mëdhenj e të vegjël kanë kundërshtuar për aksionin, duke u shprehur se “nuk do të dalin nga banesat për sa kohë që nuk janë kompensuar”. Ndërkohë, dy persona janë shoqëruar në polici, pasi ata kanë kundërshtuar forcat policore.
Romët kërkojnë dëmshpërblim, ndërsa INUK ka mbërritur në zonën pas pallatit me shigjeta dhe po përgatitet për prishjen e banesave që janë deri në 2 kate. Pak më herët ata kanë protestuar duke kërcënuar se do të vetëflijohen deri në arritjen e një marrëveshjeje për dëmshpërblim. Por ndërkohë IKMT bën të ditur se, romët kanë marrë pagesat për 2 vite qera.

Exit mobile version