Lubonja theksoi se kemi të bëjmë me një përsëritje të një traume për qytetin. Ai shton se Tirana ka humbur pikat e veta të referencës, duke thënë se kryeqyteti dhe qytetet e tjera shqiptare po kapen përditë e më shumë nga krimi.
“E shikoj prishjen e Maternitetit si përsëritje të një traume. Duket se Tirana po humb pikat e referimit për çdo qytetar. Kjo të çon tek trauma e shkatërrimit të Teatrit, stadiumit, traumën e shkatërrimit të vilave. Tirana është bërë kryeqytet i pushtetarëve. Thuajse të gjithë pushtetarët thonë se “gjithçka nis me mua”.
Masakra më e madhe është bërë pas viteve 1990, me këtë ekonomi kriminale, me arkitekturë, që nuk ka raport fare ndërtim-gjelbërim. E shikoj këtë gjë si mos-ndjeshmëri. Në vendim-marrje nuk ka kujdes duke u konsultuar me grupet e interesit, as me arkitektë, por vendim-marrje e dhunshme. Bëhet fjalë për monument kulture, por Ministria e Kulturës nuk reagon. Mafia e ndërtimit ka kapur totalisht Bashkinë dhe justifikohet me dëmet e tërmetit. Kjo është politika e gëlimit të parave të pista, ky qytet po kapet çdo ditë nga krimi. Shqiptari do që t’i vijë e keqja te dera, ndoshta atëherë reagon. Atë që e sheh në kodër, prite në votër, thonë”, tha Lubonja.