Prishtina nuk lejon vizitën e Presidentit serb

Qeveria e Kosovës tha të enjten pasdite se ka vendosur të refuzojë kërkesën e Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë serbe për ta vizituar të premten Komunën e Shtërpcës, një komunë me shumicë serbe në jug të Kosovës.
Në një njoftim të qeverisë thuhet se refuzimi pasoi vonesën për të deponuar me kohë kërkesën për vizitë në Kosovë ashtu siç parashihet me marrëveshjen për lejimin e vizitave të zyrtarëve të lartë ndërmjet dy shteteve.
“Qeveria e Kosovës konsideron se sjelljet e fundit të Serbisë dhe deklaratat e njëpasnjëshme janë kundër frymës së bashkëpunimit ndërshtetëror dhe të arriturave të dialogut për të ndërtuar ura të shëndosha bashkëpunimi në mes dy shteteve dhe popujve. Po ashtu, ato janë kundër interesit të qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët kanë vendosur të jetojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës.
Presidenti serb kishte paralajmëruar një vizitë në Shtërpcë me rastin e Krishtlindjeve ortodokse.
Të enjten mediat serbe cituan zyrtarë të kabinetit të tij të kenë thënë se “ai ka hequr dorë nga vizita, meqë pararoja e tij është përballur me sjellje jokorrekte” të autoriteteve të Kosovës në vendkalimin kufitar në Merdarë.
Vendimi i qeverisë për refuzimin e kërkesës për vizitën e presidentit serb u publikua pas reagimeve të ashpra që nxiti ndalimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj të mërkurën në Francë, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga autoritetet serbe 13 vjet më parë.

Exit mobile version