Problem nuk janë fake news, por fake society

«Nganjëherë do të ishte më mirë të heshtej». E thekson një gjë të tillë princi i fjalës së shkruar, njeriu i veshur me të bardha, i ulur pranë një pjanoforti të bardhë, me tastierën e përbërë vetëm nga tasta të bardha. Përjashtimin e vetëm me njëngjyrëshin e jetës së tij, Tom Wolfe ja lejon kollares ancien régime, e gjerë si picetë (nuk ka të bëjë aspak me ato anoreksiket e hipsterëve) dhe tmerrësisht blu, anipse me pois të bardhë. Era e rrjeteve sociale nuk e apasionon, ndoshta prej 85 viteve të kaluara, ndoshta pse është i shoqëruar nga sindromi i Umberto Eco («Është një vend ku turma idiotësh kanë të drejtën e fjalës»). Por edhe prej një preokupimi stërgjyshor: rrjeti ka krijuar një shoqëri histerike, e cila nuk ndalet më që të reflektojë, e obsesionuar nga frika e heshtjes. Dhe që në vend të arsyetojë «dëgjon teksa flet». Sikur rrjetet sociale të kishin ekzistuar gjatë Luftës së Ftohtë, konflikti i tretë botëror do të kishte shpërthyer të paktën dy herë: midis Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Sovjetik prej raketave të Kubës në vitin 1962 dhe midis Shteteve të Bashkuara e botës islamike (në atë kohë e mbrojtur nga Bashkimi Sovjetik) gjatë kidnapimit të kroçerës Achille Lauro në vitin 1985. Me kargot e Moskës plot me raketa në afrim me ishullin kastrist gjatë embargos, le të imagjinojmë një botë plot me “cicërima”, Facebook-live histerike e pacifizmit ushtarak, fotografitë e testatave bërthamore në Instagram të shpërndara nga spiuni i zakonshëm rus dhe rreshtime sociale të impenjuar që të përballeshin, gjë që krahasuar me diatribën elektorale fashizëm – antifashizëm të ditëve tona do të dukej një lodër kalamajsh.

Dhe sikur një shans për të mos shtypur butonin e kuq do të kishte mbetur në këmbë, ai do të venitej 23 vite më pas në kroçerën e përfunduar në duart e terroristëve palestinezë, pasi selfie i fundit i xhelatëve në kefiah me Leon Klinghoffer apo reportazhi sureal i një turisti fanatik pas citizen journalism (praktikisht një punëtor me celular që improvizohet Peter Arnett) i bërë share nga 12 milionë amerikanë do ta shtynin Ronald Reagan që të shpërthente Ferrin. Është sindroma për like. Është rreziku i grigjës, efekti multipolar për të lehur natën në një lagje rezidenciale. Në nivel mediatik nuk ka më ekuilibër, nuk ekziston më hiri i nën zërit. Problemi nuk përcaktohet nga fake news, por nga fake society, ajo që prej mërzisë shkakton një katastrofë me tjetrin, duke i theksuar çdo hollësi dhe duke transformuar deri një marxhinalitet klimaterik në ngjarje epokale. Prapa urgjencës për të dëshmuar, njerëzit fshehin vetëm ankthin e tyre për prezantim social. Ndodh sot edhe për 5 centimetra borë në Romë, nuk ndodhte në të kaluarën. Këtu hyn në skenë Tom Wolfe, i cili më 22 nëntor të vitit 1963 në orën 13 e 30, një orë pas vrasjes së Presidentit John Kennedy në Dallas, u dërgua nga gazeta “Herald Tribune” që të shëtiste nëpër Manhattan që të tregonte dëshpërimin e Amerikës të goditur në zemër. Shpikësi i New journalism (rrëfimi si thellim letrar i lajmit, sot ndonjë webmaster dashamirës e quan storytelling) hyri në një bar dhe u gjet ballë për ballë me një koleg bashkëmoshatar dhe po aq i famshëm i dërguar aty për të njëjtin motiv: Gay Talese, i cili duke e rikujtuar atë anekdotë në një intervistë për të përditshmen spanjolle “El Pais”, vazhdon kështu: «E kam pyetur nëse ishte dakord që të merrnim të njëjtën taksi dhe të ndanim shpenzimet. Qëndruam bashkë 4 apo 5 orë. Shkuam në Chinatown, Little Italy, Wall Street, në Upper West Side, në Broadway dhe në asnjë vend nuk pamë gjëra të denja për t’u treguar. Asnjëri nuk u hodh nga dritarja, nuk kishte nesër që të qanin në gjunjë mbi asfalt. Nëpër rrugë kishte një normalitet absolut. U përshëndetëm».

Do të ishte e paimagjinueshme sot dhe jo sepse ne gazetarët – megjithëse, duke mos mundur as t’u lidhim këpucët atyre dy gjigantëve – jemi dobët në argumenta, por sepse do të tejkalohemi djathtas e majtas nga mijëra gazetarë të improvizuar, të cilët duke mos arritur do të tregojnë një ngjarje, e deformojnë në mënyrë emotive atë duke ulëritur. Sepse sot ulërima ngjethëse e turmës është kolona zanore e botës. Ndodhia është akoma më shumë paradoksale. Gay Talese vazhdon: «Kur u ktheva tek gazeta i thashë kryeredaktorit tim se do të më kishte pëlqyer të shkruaja mbi mungesën e emocionit të njerëzve përballë një lajmi me një shtrirje të tillë. Mu përgjigj se duhej ta harroja. Të nesërmen, gjëja e parë që bëra sapo u ngrita qe blerja e “Herald Tribune” për të lexuar se çfarë kishte shkruajtur Tom. Kërkova në gazetë nga fillimi deri në fund, por nuk gjeta asgjë. Nuk kishte asnjë gjurmë nga shëtitja jonë nëpër qytet e një dite më parë. Kështu që gjigantëve të presupozuar të New journalism u kishin ngarkuar detyrën që të shkruanin lidhur me një fakt të rëndësishëm si vrasja e Kennedy dhe asnjëri prej të dyve nuk kishte arritur ta botonte reportazhin. Mbrëmjen tjetër, teksa darkoja me të, e kemi sjellë ndërmend këtë histori. Dy “ndjekës” të vjetër, sillnim ndërmend kohët kur qemë të rinj plot energji që kur dorëzuan artikujt e tyre lidhur me atentatin në Dallas i panë që t’i refuzoheshin». Të dy artikujt e kanë parë më së fundi dritën e botimit në Life Books me rastin e përvjetorit të 50-të të vrasjes historike.
Ajo heshtje dinjitoze e Manhattan, ai vazhdim i rrjedhjes së lumit të gjatë të jetës nuk konsiderohej lajm. Në fakt ishte lajmi më original, më i fuqishëm. Ishte e vërteta. Vetëm se nuk ekzistonin “cicërimat” e mbushura plot helm, nuk ishte në Instagram galeria fotografike e Jackie Kennedy me xhaketën e përgjakur. Nuk ishte as selfie i policit me Lee Oswald e sapoarrestuar.

Mungonte karburanti i domosdoshëm i ankthit kolektiv, i «#metoo» me çdo kusht. Shekulli i shkurtër ka pasur shumë faje, por jo atë të vënies në rrjet të histerisë dhe ta bënte planetare, duke bërë të besohej se ishte një novatorizëm i domosdoshëm.
Përballë anekdotës sublime dhe për kundër “perdes tymuese” të informacionit të sotëm, Tom Wolfe ka një mendim koherent me moton e tij të jetës «më pëlqen të rri skiç», që nuk ka të bëjë aspak me pozicionin e të ulurit mbi divan. «Nuk më duket se Facebook, Twitter apo blogosfera kanë pjellë shkrimtarë të paharrueshëm. Edhe pse në këto formate të shkurtëra është vërtet e vështirë të të bësh risi. Më vjen në mendje ajo që thoshte Marshall McLuhan në vitin 1968: “Mendjet e një gjenerate të tërë janë deformuar nga televizioni, duke e transformuar publikun në një tribù që beson vetëm në atë që i pëshpëritet në vesh”. Kjo është pafundësisht më e vërtetë tani, ku kushdo mund të shkruajë çdo gjë, pa kontrollin cilësor të dikujt. Nuk e kam as idenë më të vogël sesi do të përfundojë, por di që pushteti i penës është tkurrur shumë». Mbetet i pakundërshtueshëm, pavarësisht demokracisë iluzive të turmës, pushteti dhe kaq.
(Giorgio Gandola për “La Verità”)
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakStudimi, pirja e kakaos çdo ditë rrit nivelin e HDL
Artikulli tjetërSi i shpërbleu Rama oligarkët ditën e Shën Valentinit