*Dr. Teuta Çerpja
Nga 1 janari 2024, rreth 169 profesione të lira do t’i nënshtrohen ligjit të ri të “Tatimit mbi te ardhurat” me një normë taksimi mbi fitimet nga 15% deri në 23%. Tatimi mbi profesionet e lira në Shqipëri është një temë e nxehtë që ka ngjallur debate jo vetëm midis të vetëpunësuarve dhe profesioneve të lira të prekura drejpërdrejtë nga ky ndryshim, por edhe mes ekspertëve të fushës.
Nisur nga parimet që duhet të ketë një sistem tatimor duket se në pamje të parë ai përmbush dy prej kritereve kryesore: tatimi mbi të vetëpunësuarit dhe profesionet e lira ndihmon në krijimin e një (1) sistemi tatimor më të barabartë, ku të gjithë qytetarët kontribuojnë në të ardhurat publike, në bazë të fitimeve të tyre dhe (2) siguron një konkurrencë të drejtë midis profesionistëve të lirë dhe kompanive të tjera që tashmë janë subjekt i tatimeve.
Në dritën e kësaj qasje, Ministria e Financave ka argumentuar se futja në sistemin e taksimit të kësaj kategorie është bërë për shkak se shumë profesionistë të lirë, ofronin shërbimin e tyre për kompani të ndryshme ndërkohë që nuk paguanin tatim duke qenë se ishin të regjistruar si persona fizik. Ky tatim mes të tjerash siguron të ardhura shtesë për buxhetin e shtetit, i cili parashikohet në rreth 30 milionë euro, gjë e cila teorikisht do të nënkuptonte më shumë para që mund të përdoren për shërbime publike si arsimi, shëndetësia, infrastruktura etj,.
Megjithatë, megjithëse parimisht ky taksim herët a vonë duhej të ndodhte, ka shumë elementë të cilët lënë vend për diskutime dhe kjo jo vetëm në terma të palëve të prekura por edhe të efekteve për shoqërinë si një e tërë. Le të analizojmë këtë duke shtruar një pyetje të thjeshtë? – A janë bërë analiza tregu dhe konsultime publike me grupet e ndryshme të interesit, ekspertët e fushës etj, dhe nëse po, a janë marrë parasysh shqetësimet e tyre, ashtu siç do të kërkonte çdo vendimmarrje e drejtë përpara çdo ndryshimi, me qëllim vënien përballë të kostove dhe përfitimeve? Fakti që një numër i konsiderueshëm i grupeve të interesit kanë kundërshtuar fort, madje dhe në rrugë ligjore, tregojnë që ky ndryshim është bërë në mënyrë të papritur, të pakonsultuar dhe pa marrë parasysh disa çështje të rëndësishme që lidhen me këtë ndryshim. Duke mos u ndalur tek aspektet ligjore që ka cënuar ndryshimi në ligj, për të cilat Gjykata Kushtetuese do të dalë në një vendim në datë 18 qershor pas padive të ngritura nga grupet e interesit, le të analizojmë këtë në një kontekst makro.
Së pari, bizneset e prekura u përballën me një ndryshim ligjor surprizë (Ligji nr.106/2020 i cili modifikonte ligjin nr.8438 “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe vendoste që nga 1 janari i vitit 2021 bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë nuk do të paguanin tatimfitimi deri në vitin 2029). Ky ndryshim i beftë sjell edhe një herë në vemendje rëndësinë e jashtëzakonshme që ka Kodi fiskal i munguar për vendin tonë, për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm ku çdo individ dhe biznes i dinë saktësisht detyrimet e tyre tatimore. Kjo është e rëndësishme për të siguruar që ata të mos ndihen të mbingarkuar ose të diskriminuar nga sistemi tatimor ku rregullat janë të qarta. Përkundrazi, ndryshime të tilla të vazhdueshme rrisin mbi të gjitha mosbesimin ndaj sistemit tatimor duke çuar vazhdimisht në kosto të mëdha afatgjata.
Së dyti, ndërsa të gjithë ekspertët argumentojnë që ligji ka paqartësi dhe ka sjellë një çoroditje të bizneseve të cilat deri para pak kohësh nuk kanë patur asnjë përgjegjësi tatimore, tatimi mbi profesionet e lira mundet gjithashtu që të dekurajojë inovacionin dhe iniciativën e individëve për të filluar aktivitete të reja profesionale në të ardhmen.
Së treti, ky ndryshim siç dihet nuk prek vetëm bizneset, por dhe klientët të cilët përfitojnë nga këto shërbime. Ndryshimi i taksimit nga 0% në 15 dhe 23% do të rrisë dhe ka rritur tashmë tarifat e shërbimeve, gjë e cila përkthehet në një rëndesë më të madhe për xhepin e qytetarëve.
Së katërti, eksperienca e mëparshme ka treguar se sa herë që tatimi konsiderohet i padrejtë ose shumë i lartë, mund të bëjë që të vetëpunësuarit dhe profesionistët e lirë të zgjedhin të operojnë në mënyrë informale për të shmangur tatimet, duke çuar gjthashtu edhe në një rritje të ekonomisë informale dhe evazionit fiskal. Dhe sigurisht që në këtë kuptim ky nuk është një lajm i mirë për vendin tonë. Shqipëria sipas raporteve të institucioneve ndërkombëtare llogaritet ndër vendet me shkallën më të lartë të informalitetit, ku barra më e madhe fiskale mund të nxisë akoma më shumë rritjen e tij. Njëkohësisht kjo mund të nxisë ekoma më shumë edhe rritjen e ekonomisë cash.
Së pesti, ndërsa qeveria duhet që të nxisë politikat për të mos dekurajuar profesionistët dhe të rinjtë që të largohen nga Shqipëria, duket se ky ligj favorizon të kundërtën. Një pjesë e bizneseve kanë deklaruar se po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të tyre në vende të cilat kanë një normë më të ulët taksimi në shtetet fqinje (psh, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi) apo vende të cilat ofrojnë lehtësi fiskale (Estoni, Gjeorgji etj.,). Akoma më keq pamundësia për të përballuar detyrimet, mund të çojë në mbylljen e aktiviteteve të tyre.
Së gjashti, norma tatimore 23% për kategorinë me të ardhura vjetore neto (pra me fitim) mbi 14 milionë lekë synon të barazojë normën tatimore që paguajnë shoqëritë tregtare (15% tatim mbi fitimin dhe 8% tatim mbi dividendin). Ky ndryshim ngre edhe njëherë shqetësimin se ky sistem takson më shumë punën se sa kapitalin:
Në kontekstin e problematikave të lindura sa më sipër është e padiskutueshme që të kuptojmë që nuk ka shtet pa taksa dhe nëse është i drejtë apo jo tatimi mbi profesionet e lira, këtë do ta vërtetojë koha. Por ajo çfarë është e rëndësishme të theksohet është që politikat tatimore përpara se të hynin në fuqi duhet të jenë të dizajnuara në mënyrë të tillë, që të jenë të barabarta dhe të arsyeshme, duke marrë parasysh situatat specifike të profesionistëve të lirë në Shqipëri. Ofrimi i normave të diferencuara tatimore bazuar në të ardhura dhe sektor duke marrë parasysh edhe modele të vendeve të cilat i aplikojnë në këtë formë (Italia), apo krijimi i në një statusi të veçantë tatimor që i dallon nga bizneset e tjera ku profesionet e lira mund të përfitojnë nga skema të ndryshme tatimore në varësi të veprimtarisë së tyre (Gjermani), do të ishte një mundësi e mirë për të orientuar siç duhet problematikat që vijnë nga taksimi i profesioneve të lira./liberale.al
* Lektore në Fakultetin Ekonomik, Universiteti Europian i Tiranës