Shkarkohet nga detyra me vendim të formës së prerë, Kolë Hysenaj. Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli këtë sot lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të ish-prokurorit të Tiranës.
Trupa gjykuese përbëhej nga Rezarta Schuetz kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomo anëtarë.
Hysenaj u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 19 Prill të vitit 2021. Vendimi erdhi pas dy seancave dëgjimore, ku u konstatuan probleme të shumta pasurinë dhe figurën e ish-prokurorit.
Fillimisht, Kolë Hysenaj u përball me vetingun në Shtator 2020, kur KPK i kaloi barrën e provës prokurorit të Tiranës për një sërë problemesh në deklarimin e pasurive – përfshirë mosdeklarimin të kursimeve, të gjendjes ‘cash’ dhe bilance negative në vite që shkonin deri në 26 milion lekë, një raport negativ nga DSIK dhe sqarime për tre denoncime.
Në seancën e dytë dëgjimore, në Prill 2021, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se nga riçelja e hetimit janë konstatuar sërish probleme për kriterin e pasurisë, ndërkohë që ndaj Hysenajt u depozituan edhe 5 denoncime të reja nga publiku.
Kolë Hysenaj ankimoi vendimin, por edhe KPA konstatoi se problematikat ishin shumë të mëdha për ta rikthyer në sistem dhe la në fuqi shkarkimin e tij nga detyra.