Legalizimi i ndërtimeve pa leje në territorin e Kosovës do të zgjasë edhe disa vite. Në vitin e kaluar Regjistri Shtetëror i Ndërtimeve pa Leje nxori rreth 350 mijë ndërtime.
Në aftin e paraparë deri më datën 16 mars 2016, aplikuan për legalizim vetëm 2500 palë. Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor këtij dështimi do t’i përgjigjet duke e ndryshuar dhe duke e plotësuar Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, si dhe ndryshimin e disa udhëzimeve administrative që janë hartuar për këtë çështje. Fillimisht, MMPH-ja e ka hartuar një dokument të quajtur “Koncept-dokumenti për çështjen e trajtimit të ndërtimeve pa leje”, i cili adreson në përgjithësi pengesat e ligjit paraprak.
Gazeta e posedon këtë koncept-dokument, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës. Ndërkaq, palët e pakta që kanë aplikuar për legalizim i janë nënshtruar procesit të legalizimit sipas ligjit aktual. Objektivi i parë i këtij koncept-dokumenti është hapja e procesit të trajtimeve pa leje dhe zgjatja e afatit për regjistrimin e ndërtimeve shtesë në Regjistrin e Ndërtimeve pa Leje, në mënyrë që këto ndërtime të mundë t’i nënshtrohen procesit të legalizimit. Sipas komenteve të Ministrisë, kjo është bërë e nevojshme për shkak të numrit të madh të ndërtimeve që janë identifikuar gjatë zbatimit të ligjit aktual në fuqi.