Procesi i Vettingut/ KPK drejt mbarimit të mandatit 7-vjeçar, i mbeten për të gjykuar edhe 6 magjistratë! Bilanci, nga sistemi u shkarkuan 267 prokurorë e gjyqtarë

Procesi i Vetingut po shkon drejt përfundimit jo vetëm si shqyrtim subjektesh, por edhe si mandat i KPK-së, i cili u “lind” më 17 qershor të 7 viteve më parë si domosdoshmëri për të kaluar në sitë të gjithë prokurorët, gjyqtarët dhe njerëzit e drejtësisë.

 

Në fakt, Komisionin i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë shifra herë pas here në lidhje me procesin, ndërkohë në dhjetorin e këtij viti atyre iu përfundon edhe afati. Në momentet e fundit të këtij procesi, ata njoftojnë se kanë mbetur edhe 6 subjekte për të kaluar në Veting, ndërkohë që ende nuk dihet se si do të jetë pozicionimi i tyre pas përfundimit të procesit.

Në shkurtin e këtij viti, trupa gjyqësore që udhëhoqi Vetingun nëpërmjet kreut të KPK-së kërkoi në institucionet më të larta të shtetit shqiptar që të gjithë gjyqtarët e përfshirë në këtë proces, të përfshihen direkt si gjyqtarë të shkallës së dytë, pra gjyqtarë të Apelit.

PROCESI

Pas 7 vjetësh që nga konstituimi, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i kanë mbetur për të kaluar në sitë vetëm gjashtë prokurorë e gjyqtarë. Nga 805 magjistratë që KPK pati për detyrë t’u kontrollonte pasurinë, figurën dhe profesionalizmin, tashmë numri i tyre është drejt përfundimit, ndërsa mandati i kësaj trupe gjykuese ka mandat edhe 2 muaj dhe më pas mbyllin misionin për të cilin u zgjodhën. Nga shkurti i vitit 2018 deri në ditët e sotme, KPK, ndryshe Shkalla e Parë e Procesit të Vetingut mësohet se ka konfirmuar gjithsej 368 prokurorë, gjyqtarë e ndihmës ligjorë, ndërkohë që ka shkarkuar, 267 subjekte. Bashkë me të shkarkuarit nga KPK, prej sistemit u larguan përfundimisht edhe 105 prokurorë e gjyqtarë të tjerë, që zgjodhën të jepnin dorëheqjen duke refuzuar të përballen me procesin e Vetingun.

Kështu, sistemit iu krijuan 273 vende bosh, ndërkohë KPK dërgoi sërish në shkollën e Magjistraturës 2 prokurorë për probleme me profesionalizmin dhe pushoi ose doli pa vendim përfundimtar për 57 prokurorë e gjyqtarë, të cilët kishin paqartësi nëse e mbanin ende statusin e magjistratit. Në maj të 2020- s, SPAK njoftoi se kishte marrë nën hetim 10 ishgjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetueses me bazë vendimet e tyre të shkarkimit nga KPK. Për 5 prej tyre, Gjykata e Posaçme ka dhënë vendime dënimi, ka sekuestruar pasurinë, apo është duke i gjykuar për mosdeklarim të pasurisë.

KËRKESA

Në shkurtin e këtij viti, kur KPK kishte plot 6 vjet që kishte nisur ‘gjykimin’ e magjistratëve dhe e kishte të qartë se do ta përfundonte procesin në dhjetor, në kohën kur i përfundonte edhe mandati, kreu i këtij komisioni përcolli shqetësimin dhe pasigurinë e anëtareve të KPK-së dhe të komisionerëve publikë së bashku me këshilltarët ligjorë të dy këtyre institucioneve se çfarë do të ndodhë me ta pas përfundimit të mandatit. Sipas tyre, ligji nuk e ka parashikuar një gjë të tillë, megjithëse ata në detyrë kanë aktualisht të njëjtin status si anëtarët e Gjykatës së Lartë.

Kërkesës, kreu i KPK-së, aso kohe i bashkëngjiti edhe disa relacione ku sugjeronte që pas përfundimit të mandatit, anëtarët e KPK-së të emërohen gjyqtarë të Gjykatës së Apelit për t’i integruar brenda sistemit gjyqësor. Të njëjtën gjë propozuan edhe për këshilltarët ligjorë, të cilët sipas kërkesës, duhej të bëheshin pjesë e sistemit të gjykatës dhe prokurorisë. Madje, në kërkesë specifikohej se për këshilltarët, të cilët kanë ushtruar 5 vjet në KPK të futen në shkollën e Magjistraturës për profilin gjyqtar dhe prokuror pa konkurrim. Ndërsa për këshilltaret që kanë eksperiencë 4 vjet, me pëlqim të tyre, të emërohen hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit./panorama

Artikulli paraprakSi kryhej një vendim gjykate me vdekje në komunizëm: Ekzekutimi i të dënuarit kryhej me armë zjarri nga një person, ose me varje në litar! Ndërsa me toga pushkatimi, bëhej në raste të rralla…
Artikulli tjetërTentoi t’i japë fund jetës duke konsumuar solucion pastrues, shpëton mrekullisht 21-vjeçari