Prodhimi i energjisë bërthamore do të thyejë rekorde në vitin 2025! Si po ndikon rritja e jashtëzakonshme e kërkesës në mbarë botën për energji elektrike

Sipas parashikimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë në vitin 2025 prodhimi i energjisë bërthamore duket se do të thyejë rekorde.

Kërkesa mbarëbotërore për energji elektrike po rritet jashtëzakonisht shumë – qendrat e të dhënave për inteligjencën artificiale kanë p.sh. nevojë të jashtëzakonshme për energji. Por për shkak të krizës klimatike, kërkohen energji që prodhohen pa shkaktuar emetime të larta. Kjo është arsyeja pse Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) në Paris parashikon një rilindje të energjisë bërthamore.

Sipas IEA-së prodhimi i energjisë elektrike nga flota botërore prej gati 420 reaktorësh bërthamorë do të arrijë një nivel të ri rekord këtë vit.

Ky është rezultati i një studimi të publikuar së fundmi nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

Prodhimi i energjisë elektrike nga energjia bërthamore po rritet

IEA parashikon që deri në vitin 2025 prodhimi i përgjithshëm i energjisë bërthamore do të arrijë rreth 2,900 teravat në orë. Kjo përbën rreth gati dhjetë për qind të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, termocentralet bërthamore kanë prodhuar në vitin 2023, 2,742 teravat orë dhe në vitin 2024, 2,843 teravat orë.

Këtë vit prodhimi i energjisë bërthamore do të jetë “më i larti në histori”, tha shefi i IEA-s, Fatih Birol për agjencinë e lajmeve AFP. “Ne po hyjmë në një epokë të re të energjisë bërthamore.”

Në mbarë botën janë në ndërtim e sipër reaktorë me kapacitet 70 gigavat. Interesi për energjinë bërthamore është më i madh sesa ka qenë që nga kriza e naftës në vitet 1970. Më shumë se 40 vende po përpiqen të zgjerojnë kapacitetet e tyre për prodhimin e energjisë bërthamore, tha IEA./DW

Artikulli paraprakKonflikti për notën e anglishtes/ E rëndë në Peshkopi, vëllai i mësueses masakron studentin, institucionet heshtin!
Artikulli tjetër“Pupovac, i vetmi lider që s’është nën ndikimin e Beogradit”- Skandalet diplomatike dhe fushata kundër përfaqësuesve serb, analiza e DW: Pse Kroacia e frustron Vuçiç