Prof. Dr. Fatmir Terziu dekorohet me “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Presidenti i Republikës Ilir Meta çmoi me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” shkrimtarin dhe studiuesin e shquar, Prof.Dr. Fatmir Terziu, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e shquar në fushën e arsimit, medias dhe etnokulturës në Diasporën tonë, si dhe për angazhimin e palodhur për mbrojtjen, forcimin dhe përparimin e faktorit shqiptar kudo në botë”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne, Kryetari i Shtetit u shpreh:

“Është kënaqësi e veçantë të jemi së bashku për të vlerësuar një personalitet të shquar të botës shqiptare Prof.Dr. Fatmir Terziu, një nga figurat më të respektuara të komunitetit tonë të nderuar në Britaninë e Madhe. E mirëprita propozimin nga Forumi i Bashkimit të Shoqatave Shqiptare për vlerësimin e kësaj figure me kontribut të shquar në fushën e arsimit, medias dhe etnokulturës në diasporën tonë. Profesor Fatmir Terziu është lektor i filozofisë në ‘London South Bank University’, si dhe drejtues i revistës së vetme shqiptare në Londër ‘Albanian News’.

“Me mirënjohjeje për kontributin e shquar dhe të gjithanshëm në fushën e arsimit, medias dhe etnokulturës  si dhe për angazhimin e palodhur për mbrojtjen, forcimin dhe përparimin e faktorit shqiptar kudo në botë, pata kënaqësinë të vlerësoj një nga personalitetet e komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe, Prof.Dr. Fatmir Terziu.

Me veprimtarinë e tij të suksesshme profesionale, intelektuale dhe atdhetare, sidomos në mjedisin akademik britanik, Profesor Terziu ka dhënë një ndihmesë të çmuar jo vetëm për evidentimin e lartësimin e vlerave tona kombëtare, por edhe për afirmimin e shqiptarëve në Britani dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy popujve tanë miq”, shkruan presidenti Meta në Facebook.

1 10

Exit mobile version