Nga Elira Kadiu
Që nga 1 janari i këtij viti, rreth 17 mijë profesionistë të lirë dhe të vetëpunësuar në Shqipëri do të tatohen 15% për fitimin deri në 14 milionë lekë dhe 23% për fitimet mbi këtë shumë.
Fillimisht u tha se shpenzimet për ata që nuk kanë mbajtur regjistër gjatë vitit të kaluar, do të llogariten duke ulur një referencë prej 30% që janë shpenzime të zbritshme, mbi fitimin e gjeneruar. Formula e përllogaritjes së kësaj skeme të re tatimore, do të aplikohet vetëm mbi pjesën e mbetur të fitimit, pasi nga totali i të ardhurave vjetore të jenë zbritur kostot e shpenzimeve që përllogariten deri në 30% si dhe paga minimale.
Profesionistët e lirë kanë ngritur shqetësimin se ligji nuk po zbatohet në mënyrë korrekte, pasi nuk po aplikohet kjo zbritje.
Aktualisht ato po parapaguajnë taksa shtesë, të cilat Drejtoria e Tatimeve deklaroi se do të zbriten dhe rimbursohen në momentin e deklarimeve vjetore, pra në mars 2025.
Administrata Tatimore me anë të një shkrese të dërguar bizneseve ka sqaruar se për llogaritjen e tatimit paraprak të vitit 2024, do të përdoren të dhënat që kjo kategori biznesesh do të deklarojnë për të ardhurat dhe shpenzimet e 2023.
“Ju inkurajojmë të pasqyroni saktë të dhënat në Deklaratën Vjetore të Tatimit mbi Fitimin apo Tatimit te Thjeshtuar mbi Fitimin, për vitin 2023, në lidhje më të dhënat e deklaruara për të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin e tatueshëm, pasi këto të dhëna do të jenë objekt i vlerësimit nga Administrata Tatimore për përllogaritjen e tatim fitimit paraprak gjatë vitit 2024” – citohet në shkresën e tatimeve.
Sipas listës së publikuar në Fletoren Zyrtare, me vendimin nr 753, të datës 201.12.2023 në këtë taksim progresiv përfshihen 26 lloje aktivitetesh, të ndarë në 169 profesione. Përmendim këtu disa prej tyre si fotografi, videograf, prodhues të programeve, regjistrues të audiove për muzikë, aktivitete të IT, siguruesit, financier, ndërmjetësues financiar, prodhues filmash etj.
Për ta bërë sa më konkrete sesa para do t’i hiqen nga xhepat profesionistëve të lirë, Citizens kontaktoi disa prej tyre.
“Operoj në fushën e shërbimeve të fotove dhe videove, fitimi mesatar mujor është rreth 500 mijë lekë të vjetra në muaj”, – thotë Xhemali Moku, fotograf.
Me tatimin e ri ai do të paguajë 7,500 lekë në muaj tatim mbi fitimin pas zbritjes së shpenzimeve, çka do të thotë nga 50,000, ai do të marrë tashmë 42 500 lekë.
“Operoj në fushën e marketing service dhe operoj me nipt. Fitimet e mia variojnë në bazë të projekteve dhe mund të jenë nga një mijë deri në 1500 euro” – rrëfen Marjana Murja.
Me taksimin 15%, për fitimin prej 1500 euro në muaj, Marjana do të humbasë plot 225 euro. Nëse do të ruajë këtë ritëm fitimi, në fund të vitit ajo do të paguajë 2700 euro taksim.
Për t’i shpëtuar kësaj forme taksimi shumë të rinj të vetëpunësuar kanë zgjedhur shtetin fqinj Kosovën.
“Tatimi në Kosovë është progresiv, fillon nga zero përqind deri në dhjetë përqind dhe transparenca është shumë më e madhe. Në kohë reale e di sa kontribute pensionale ke në llogarinë tënde, sesi mund ti menaxhosh ato në të ardhmen” – tregon për Citizens, Natasha Paja, e cila punon si grafik – dizajner.
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” në Gjykatën Kushtetuese
Më 18 Qershor 2024, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë tre paditë e depozituara për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” .
Padia e parë në Kushtetuese u depozitua në muajin shkurt 2024 nga 37 deputetë të grupit parlamentar të PD-së. Më pas në muajin Mars u dërgua një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA).
Kontabilisti Sotiraq Dhamo shpjegon për Citizens se muk ka mundësi të barazohen të ardhurat nga biznesi me të të ardhurat nga paga, sepse personi fizik që rregjistrohet në QKB, mer përsipër të mbulojë çdo kosto të tij, përfshirë edhe lejet e zakonshme, pasi edhe lejen e paguan vetë.
“Taksimi i ri është diskriminim me bizneset tregtare sepse janë në të njëjtat kushte. Ata shesin mallra, këta shesin shërbime” – thekson ai.
Dhamo shton se kritikohet edhe metodat e shpenzimeve afrofe, pasi ligji thotë se bizneset e vogla mund të zgjedhin një regjim të thjeshtuar, që do të thotë një tregtar që shet mallra në market, ka të drejtë që 90% nga xhiro vetë ti quaj shpenzime dhe mbi 10% që ngelet të llogaritet pjesa e tatueshme.
“Shërbimet profesionale, si kontabilist, auditues dhe avokat konsiderohen si shpenzime 30%, quhet fitim 70%. Nuk ka biznes të ketë fitime 70% dhe të tatohet 70% “- përfundon ai./ https://citizens.al/2024/05/30/profesionet-e-lira-parapaguajne-tatimin-e-shtuar/