Profesor Rexhep Uka rikthehet në skenën publike përkrah Lulzim Bashës: “Demokracia është stacion, jo destinacion. Kujdes nga riciklimi!”

Profesor Rexhep Uka, një nga themeluesit historikë të Partisë Demokratike, ka mbajtur një fjalim emocionues dhe plot mesazhe të forta gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë të Koalicionit Euroatlantik, ku ishte i pranishëm përkrah drejtuesit politik të koalicionit, Lulzim Basha.

Në një atmosferë përplot entuziazëm në Kamëz, qytetin ku Uka tha se ka lindur 72 vite më parë, profesori rrëfeu se ishte hera e dytë që nuk mund t’i thoshte jo politikës. “E para ishte në 2005, pas 96-ës. E dyta është sot. Kam ardhur me ndërgjegje të plotë dhe jam mbushur me shpresë,” tha ai.

Në fjalën e tij, Uka u ndal në reflektime të thella mbi rrugëtimin e Partisë Demokratike, gabimet e së kaluarës, mungesën e analizës dhe rëndësinë e rotacionit, pa rënë në kurthin e riciklimit politik. “Demokracia nuk është një destinacion, por një stacion. Kujdes nga riciklimi! Populli shqiptar ka marrë lemeri nga ai parlament,” theksoi ai, duke u bërë thirrje qytetarëve të votojnë për njerëz me mendje të ndritur, përvojë dhe përkushtim.

Një moment kulmor i fjalës ishte kur Uka përmendi Lulzim Bashën, duke kujtuar se që në vitin 2007 ai e kishte parë si një figurë të denjë për kryeministër: “Është një copë perëndimore që nuk e ka ngrënë si ne edukimin komunist.”

Ai nuk harroi të përmendte shpresën që, sipas tij, përfaqëson sot SPAK-u, si një institucion që po e prek realisht drejtësinë dhe kërkesat e popullit për llogaridhënie.

Duke folur për Kamzën, si simbol i bashkimit të njerëzve nga të gjitha trevat e Shqipërisë, Uka e cilësoi qytetin si një pasuri unike me sinergji përvojash, që ka pasur gjithmonë rol protagonisti.

Në përmbyllje, me një ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe shprese, Uka theksoi: “Parlamenti është fytyra jonë. Ne e kemi në dorë ta ndryshojmë dhe të çojmë atje fytyrën tonë të vërtetë.”

Faleminderit dhe suksese! – mbylli ai fjalimin mes duartrokitjeve të të pranishmëve.

Fjala e plotë:

Unë kam kohë që jam tërhequr nga politika, por dy herë jam gjendur ngushtë dhe që nuk mund ta refuzoja ftesën. E para, ka qenë pas 96-ës, në 2005 kur ftesën e pata nga Puka, – unë jam me origjinë nga Puka,- dhe baba më tha “nuk ke nga ja mban, do shkosh!”; dhe sot, erdha sot. Bëra një investim të vogël, se isha edhe pjesë e programit më 1 Qershor.
Shoh që i njoh të gjithë këta sot dhe u mbusha me besim të jashtëzakonshëm se jam i bindur që s’do ketë mendje, zemër dhe dorë të votojë kundër këtyre burrave. Me këta, kam bërë biseda të gjata. Me Shemsiun, në 92-in në Tropojë, ne diskutonim si sot. Në 2017-ën më ka ftuar Lul Basha tek çadra, – e kam mik të ngushtë që në 2005-ën,- dhe të them të drejtën, nuk shkova. I thashë, -do vij vetëm me një kusht, nëqoftëse do të dalim bashkë, në televizion dhe ti do flasësh e do thuash: Këta që nuk janë më me ne, në të vërtetë nuk janë më askënd; ata që nuk janë më me ne, kanë më të drejtë se sa ne dhe e ditkan të vërtetën, kjo është e hidhur e madhe.

Nuk mund të rri pa përmendur disa fakte të hidhura në atë tragjedi që ndodhi me PD-n, – e kini në youtube. Partia Demokratike, u themelua në këmbë dhe asnjëherë nuk u ul për të analizuar, prandaj ndodhi ajo që ndodhi. Ndodhi! Por shpresa vdes e fundit. Ne e kuptuam fare mirë, që demokracia nuk është një destinacion, por stacion. Demokracia është tepër e vështirë, të paktën të bëjmë rotacionin, por kujdes nga riciklimi! Kujdes nga ricilimi sepse populli shqiptar, ka marrë lemeri nga ai parlament. Lemeri! Është detyrë e jona, e qytetarëve që të zgjedhim brumin e mirë kësaj rradhe edhe të dëgjojmë atje mendjen e ndritur, njerëz me përvojë, njerëz të përkushtuar, njerëz me qëndrime patriotike sepse po jetojmë në një periudhë shumë të turbullt. Jam i bindur që edhe një çilimi e kupton që bota është përpara disa sfidave të mëdha.

Sot, jemi në Kamëz. Mbrëmë kam lexuar fjalën time, në mitingun e parë demokratik që është bërë, këtu mbrapa shpinës time. Përpara kisha një të njohurin tonë, që bëri 8 vjet burg, vetëm pse i tha gjizës- gëlqere. Edhe e kisha përpara, edhe po shkulte flokët. Kamza është vendlindja ime, këtu kam lindur 72 vjet më parë. Kam memorie 3-4 vjeçare, dhe mbaj mend, që nga dita e parë ndryshimet janë të jashtëzakonshme. Kush mohon ndryshimet, mohon vetveten. Por ajo që duam ne, zhvillimi, ëndrrat tona, programi ynë i hershëm, jemi ende shumë larg. Kush është treguesi? Mërgimi. Mërgimi s’ju nda shqiptarëve asnjëherë. Kjo është një fatkeqësi e madhe. Pse? Shumë arsye nxjerrin. Lloj- lloj specialistësh, lloj-lloj eksperti. JO! Zogu që e ndjen, që meriton të jetojë më mirë, e kupton zhurmën e keqe dhe ikën. Nuk është as ekonomia, asgjë tjetër, duhet ta ndjejë veten qytetar, të jetë me të vërtetë i lirë. Këtë ende ne, nuk e kemi siguruar sepse nuk i patëm pushtetet e ndara.

Ka një shpresë, që quhet SPAK !

Kjo është shpresë e madhe. Por shikojmë, se kjo erdhi, pasi nuk e bëmë dot ne, lëreni çfarë thonë, – e solla unë, e solli ai, na lanë dhe bëmë aq sa mundëm. JO! Përfundimisht e kemi shembullin e mirë. Të çojmë atje këta djem dhe të bëjnë atë detyrë, atë kërkesë që ka ky popull. Ne, në këtë vend, – se s’dua të shkëputem nga Kamza, – kemi një pasuri që pak vende e kanë në Shqipëri, – ky është studim i imi. Kamza është themeluar nga jabanxhinj. Vendasit kanë qenë nga njerëzit më të nderuar, familjet më të nderuara, që kanë patur një sinfoni, një marrëveshje të jashtëzakonshme që i kanë pritur. Shumica kanë qenë verior. Unë jam i lidhur me një mijë fije me të gjithë, me Pukën, me Kukësin, me Tropojën, nip atje, me jugun, me martesa e me rradhë. Protagonizimi i Kamzës ka qenë gjithmonë. Gjithmonë Kamza ka qenë protagoniste. Pse? Sepse ka sinergji përvojash. Këtu fillimisht nuk merreshin vesh Lumjanët me Pogradecarët, e me Gjirokastritët por i shkëmbyen përvojat e tyre dhe ka qenë protagoniste gjithmonë, në sundim.

Prandaj sinqerisht, bëra mirë që erdha, se e kam bërë të ndërgjegjshme pjesëmarrjen këtu, por u mbusha me shpresë. Mos harroni, unë kam qenë në atë ekipin, – nuk ka vend këtu për dekorada, – por ku shkonim në Çerkezë, katër herë kalonim Tërkuzën, ditën e parë takonim njerin, të nesërmen na thirrnin dy të tjerë, pasnesër bëheshin 4-5 dhe arriti në të gjithë këtë pellg. Kështu fillon!

Ky koalicioni euroatlantik, u arrit në kohën tonë. Prandaj, unë ia kam thënë Lul Bashës, do t’ia them sot publikisht, që në 2007, unë e kisha menduar për kryeministër. Atij as i kishte shkuar ndër mend atëherë. Le t’i vijë keq, në daç t’i vijë mirë. Dhe e ka të shkruar, të zezën në të bardhë. Dhe kam thënë: Është një copë perëndimore që nuk e ka ngrënë si ne edukimin komunist. Erdhi dita. Ne e kemi në dorë, mos të ankohet kurrkush, sepse parlamenti në fund të fundit, është fytyra jonë. E ka thënë Hegeli. Duhet ta ndryshojmë dhe të çojmë fytyrën tonë të vërtetë.

Faleminderit dhe suksese!

Artikulli paraprakDo hiqen Non Grata-t? Marco Rubio rinis ndëshkimin për korrupsion madhor!
Artikulli tjetër“T’i japim fund politikës së Ramës ‘një hajdut bie, mijëra ngrihen”, Basha nga Fieri: Vota e 11 majit është edhe për një SPAK që lufton më fort korrupsionin