Profesori amerikan bën deklaratën e fortë: Putini mund të përdorë Dodikun dhe aleatët për të destabilizuar Ballkanin

Mendoj se duhet të pranojmë, nëse asgjë tjetër, ne në Amerikë, që rusët tashmë u kanë shpallur luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shumë mënyra që konsiderohen akte lufte. Konflikti nuk është vetëm në Ukrainë, konflikti është edhe këtu në Ballkan, në Lindjen e Mesme, në Kaukaz, në mbarë botën.

Uashingtonit do t’i duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe burime kësaj. Ne duhet të fokusohemi në ndihmën ndaj ukrainasve, por edhe aleatëve tanë në Ballkan.

Kështu i tha Radios Evropa e Lirë (REL) Glenn Corn, profesor në Institutin amerikan për Politika Botërore (IWP) në Uashington, i cili mori pjesë në Konferencën e sigurisë në Sarajevë, e organizuar nga Instituti New Lines për Strategji dhe Politika.

Corn, ish-drejtues i lartë në Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA), i cili kaloi 34 vjet në komunitetin e inteligjencës dhe atë diplomatik, duke punuar në Rusi, Turqi, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme, konsideron se rajoni i Ballkanit Perëndimor “është ende një fuçi baruti”.

“Mendoj se Putini mund të përdorë zotin (presidenti i entitetit Republika Sërpska, Millorad) Dodik dhe aleatët e tij, bashkëpunëtorët e tij ose bashkëpunëtorët e mundshëm për të destabilizuar situatën këtu dhe për të larguar vëmendjen nga rajonet e tjera”, vlerëson Corn.

Duke folur për politikën drejtpeshuese të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, mes Lindjes – përfshirë Rusinë – dhe Perëndimit, Corn thotë se në Perëndim shpesh harrojnë se duhet të ofrojnë një alternativë.

“Nuk mund vetëm t’u thuash njerëzve të mos punojnë me rusët, kinezët apo ndonjë vend tjetër”, tha Corn në intervistën për REL-in.

Ai thotë se Moska po bën luftëra hibride, duke përdorur ato që ai i quan “masa aktive” që përfshijnë propagandën, ndikimin politik, likuidimet, sabotimet, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë dhe SHBA.

“Moska i ka bërë të gjitha këto në Ukrainë përpara se të fillonte pushtimin”, thotë Corn, i cili shërbeu si i dërguar i lartë i presidentit të SHBA-së për çështje të inteligjencës dhe sigurisë.

Artikulli paraprakShënoi dygolësh kundër Xhenoas, Vlahoviç: Njerëzit presin që unë t’i zgjidh ndeshjet, kritikëve i’u përgjigjem në fushë
Artikulli tjetërAlfrida Marku e PD Euroatlantike: Jam në krah dhe mbështetje të banorëve të Lezhës!