Professio…

Nga Dashnor Kokonozi

Personalisht, nuk është se më pëlqen të shkruaj për gjësendi tjetër veç letërsisë, më merr kohë, por nëse shkruaj, këtë e bëj thjesht sepse kam bindjen se një lexues që shkon e blen librin tënd, ka të drejtë të ketë një njohje më të gjërë e më të plotë të autorit të librit. Të ketë një ide qoftë edhe të përafërt nëse letërsia, bindjet e sensibilitetet e tij shpirtërore e estetike tij janë në pajtueshmëri me njëra tjetrën.

Kjo më shumë se kurrë është e nevojëshme sot.

Për interesat e mia, po lexoj një sërë romanësh të shkruara nga IA. Robotët, pra. (Në platformat e autopublikimit gjen me mijra të tillë).

Mbase është thjesht një frikë e imja, një fobi a ide fikse, por pas këtyre librave të shkëlqyer ( e them me bindje këtë për disa prej tyre), ndjej një zbrazësi siderale.

Për të mbushur këtë hapësirë të frikshme kryesisht të natyrës shpirtërore, nuk shoh rrugë tjetër përveç asaj se shkrimtari apo shkrimtarja duhet ta rrëfejnë jetën në mënyrë të ndryshme, jo vetëm nëpërmjet letërsisë.

Të komunikojnë pra, të japin prova se jo vetëm janë prej “mishi”, por edhe sa të ndjeshëm janë ndaj dhimbjes së të tjerëve, sukseseve dhe dështimeve kombëtare e individuale! Eshtë e rëndësishme, sepse gjithnjë e më tepër ndihet mungesa e ndjeshmërisë njerëzore dhe jo e shkrimtarisë në vetvete.

Kam frikë se brezat e ardhshëm nuk do të na kenë zili për romanet që kemi lexuar, se ato aty janë, por sepse kemi njohur dhe kemi ditur aq shumë për autorët e tyre, sa i kemi dhënë të drejtë vetes t’i shajmë pa hesap, duke besuar marrëzisht se kemi paguar për këtë të drejtë!

Privilegj i madh, ky. Edhe pse nuk e dimë nëse pala tjetër mendon të njëjtën gjë!

Exit mobile version