“Program qeverisës”, Profesor Selami Xhepa për ofertën e PD: Korrekton dështime serioze të sistemit tonë ekonomik që janë ngjizur në këto 30 vite

Pak ditë pas prezantimit të programit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka organizuar një tavolinë diskutimi për programin ekonomik me ekspertët e fushës. Në këtë takim mori fjalën dhe profesori i ekonomisë Selami Xhepa, i cili komentoi risitë e programit të PD, duke e cilësuar si një program qeverisës.

Fjala e Selami Xhepës:


“Cilët janë ato ndryshime parimore që sjell ky program dhe që i japin atij tiparet e para, që është një program parimor, që mbështetet mbi principe. Dhe mbi principet e një të djathte konservatore. Sepse merret me pronën, sepse merret me madhësinë e shtetit, sa i madh duhet të jetë shteti dhe sa duhet të jetë raporti i shtetit me individin, merret me familjen dhe këto janë principet themelore të një force të djathtë politike konservatore. Dhe unë personalisht i gjej këto element të mishëruar më së miri në këtë program. Së dyti, është pikëpyetje e përhershme a është i realizueshëm dhe madje shpesh herë dhe në bisedat e analistëve që bëhen darkave, është që “jo është program i mirë por nuk është i realizueshëm, se këtej kemi ulje taksash, këtej kemi rritje shpenzimesh”.

Për këtë pikë unë do thoja këtë që unë vet bëj pjesë në ato që janë gjithmonë konservatorë. Realizimi i një programi është në rradhë të parë çështje e një bindje të thellë politike dhe çështje e vendosjes së prioriteteve strategjike që adreson një forcë politike. Dhe në këtë kuptim, personalisht unë e quaj që është i realizueshëm. Është i realizueshëm sepse është edhe i testueshëm. Së treti, do të thoja që programi korrekton disa dështime serioze të sistemit tonë ekonomik që janë ngjizur në këto 30 vite të tranzicionit. Me këtë dua të them që edhe pse shpesh reformat kanë synuar që të zgjerojnë lirinë ekonomike, kanë synuar që të rrisin konkurrencën e tregut, fatkeqësisht është në natyrën e ekonomisë politike të reformave që sapo krijohet një grup përfituesish, ata bëhen barierë dhe nuk lejojnë më që reformat të jenë një gjetje në çlirimin e hapësirave për zhvillim dhe sipërmarrje të lirë.”

Artikulli paraprakInvestimi strategjik në arsim
Artikulli tjetër“Ziliqarët t’i përvishen punës dhe ta provojnë bonusin”- Propozimi për të ofruar 20 mijë euro për fëmijën e tretë, Basha: I kemi bërë llogaritë!