Shtëpia e Bardhë fillimisht vlerësoi, por tani po shqyrton informacionet e reja të zbulimit izraelit mbi programin e armëve bërthamore të Iranit, i cili thotë se janë “bindëse”. Ndërkohë zyrtarët në Uashington nuk kanë ngritur ende akuza ndaj Teheranit për shkelje të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Ekspertët e zbulimit dhe diplomatët thanë se shumë nga provat që kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu paraqiti gjatë një konference shtypi të hënën nuk janë aktuale dhe datojnë përpara se Irani të nënshkruante marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Irani e komentoi me sarkazëm prezantimin e bërë nga Kryeministri izraelit. Ministri i jashtëm iranian Javad Zarif i hodhi poshtë pretendimet izraelite përmes Twitterit.
Por zyrtarët amerikanë thonë se ndërsa pjesa më e madhe e informacioneve të zbulimit është në përputhje me atë që dihej, disa prej tyre hedhin dritë mbi aktivitetet e Teheranit, duke përfshirë zhvillimin e raketës balistike Shahab-3 që është e aftë të lëshojë një mbushje bërthamore.
“Ata nuk po rrinë urtë. Ata po lëshojnë raketa që thonë se janë për qëllime televizive. Por nuk është ashtu. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Nuk po iu them çfarë po bëj por shumë njerëz mendojnë se e dinë dhe më 12 maj apo më pare ne do të marrim një vendim. Kjo nuk do të thotë se nuk do të negociojmë një marrëveshje të vërtetë”, tha presidenti Trump.
12 maji është afati që administrata Trump u ka dhënë aleatëve për të rregulluar ato që thotë se janë të meta në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Nëse kjo nuk ndodh, Trump ka kërcënuar të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja, të njohur si Plani i Përbashkët i Veprimit dhe të rivendosë sanksione ekonomike mbi Teheranin.
Megjithatë, zyrtarët e lartë amerikanë deri më tani nuk e kanë akuzuar zyrtarisht Iranin për shkeljen e marrëveshjes bërthamore.
Muajin e kaluar, komandantët më të lartë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara, përfshi shefin e Komandës Strategjike, u thanë ligjvënësve se Teherani po i përmbahet marrëveshjes.