Programi për artin, kulturën dhe sportin/ Basha: Mbështetje të plotë në infrastrukturë, në trajtim dhe mbështetje financiare

Kryetari i PD, Lulzim Basha, vijon diskutimet me grupet e punës për detajet e programit që do të prezantohet në datën 1 qershor. Ditën e sotme Basha ka diskutuar për artin, kulturën dhe sportin, të cilët do jenë pjesë e rëndësishme në ofertën e PD.

Sipas tij, mbështetja e plotë dhe e gjithanshme, si në infrastrukturë, në trajtim, mbështetje financiare dhe në edukimin që në fëmijëri me art, kulturë dhe sport, do jenë vetëm disa nga pikat e tij.

POSTIMI I PLOTË:

Një pjesë shumë të rëndësishme në programin tonë zë arti, kultura dhe sporti.

Kur kujdesemi për kulturën tonë, kujdesemi për të ardhmen tonë. Sepse një komb pa kulturë dhe pa art, është një komb pa të ardhme.

Me grupin e punës ne diskutuam për programin tonë, për të garantuar një mbështetje të plotë dhe të gjithanshme, si në infrastrukturë, në trajtim, mbështetje financiare dhe në edukimin që në fëmijëri me art, kulturë dhe sport.

Shqipëria është e bekuar me njerëzit e saj të talentuar në art, kulturë e sport, por fatkeqësisht në Shqipëri kanë pak mundësi, prandaj shkëlqejnë kur janë në vende të tjera. Por ne do t’u japim mundësi të gjithë artistëve tanë të shkojnë me talentin e tyre në skena dhe ambjente të ndërtuara e rikonstruktuara dhe të kenë trajtim dinjitoz financiar.

Ne kemi një qeveri që është më e interesuar për kulla se sa për kinema, teatër, apo ambjente sportive. Kjo u pa edhe me fadromat që në mënyrë kriminale shkatërruan Teatrin Kombëtar.

Vëmendja jonë do të jetë gjerësisht tek edukimi që në fëmijëri me artin, kulturën dhe sportin.

Prindërit shqiptarë bëjnë gjithçka për fëmijët e tyre. Unë njoh shumë prej tyre që çojnë fëmijët në ato pak kurse private që janë hapur, vetëm e vetëm për t’i edukuar fëmijët me art e kulturë dhe për t’i përfshirë në aktivitete sportive, sikundër ka dhe shumë prej tyre që e kanë të pamundur për shkak të kostove të larta. Prandaj, në programin tonë këtë mundësi do ta ofrojë qeveria.

Sporti, përveç fizikut, të mban larg veseve të ndryshme, si alkooli, duhani etj, por dhe na jep mundësinë të zbulojmë dhe mbështesim talentet e reja në moshë të hershme në të gjitha disiplinat sportive.

IMG 20240525 WA0007

Exit mobile version