Programi për rendin dhe sigurinë kombëtare, Basha: Disa nga zotimet tona janë krijimi i Xhandarmërisë Kombëtare, reformimi i Policisë, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka shpërndarë në facebook pikat e programit të prezantuar në 1 qershor për rendin dhe sigurinë kombëtare.

Në funksion të sigurisë, mbrojtjes së jetës, pronës dhe shëndetit të qytetarëve, Basha shprehet se angazhimet kryesore do jenë krijimi i Xhandarmërisë Kombëtare e cila do ketë në fokus luftën kundër krimit dhe disa funksione të tjera.

Ai më tej shprehet se do të bëhet një reformim të strukturave të Policisë së Shtetit, pastrimin e saj nga personat me lidhje kriminale dhe trajtim financiar më të mirë me rritje page në masën 50%.

Si firmëtar i integrimit në NATO, një tjetër zotim i kreut të Demokratëve Euroatlantikë është edhe mbështetja e politikave të aleancës duke rritur shpenzimet reale për mbrojtjen.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Përkushtimi ynë është një Shqipëri e fortë, që garanton rend dhe siguri brenda kufijve të vet dhe projekton forcë dhe gatishmëri për të mbrojtur vlerat e demokracisë dhe interesit tonë kombëtar në rajon e kudo ku NATO të ketë nevojë.

Në funksion të rendit, sigurisë, mbrojtjes së jetës, pronës dhe shëndetit të qytetarëve do të mundësojmë:

1. Krijimin e Xhandarmërisë Kombëtare, si një forcë elitë e specializuar, e përbërë prej 1000 efektivë, e cila do të këtë në fokus të saj:
• luftën kundër krimit;
• ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike;
• ndërhyrjen në operacionet kundër Akteve Terroriste;
• angazhimin në rastet e Emergjencave Natyrore;
• mbështetjen e Forcave të Armatosura në raste të operacioneve ushtarake.
2. Reformimin e strukturës së Policisë së Shtetit në përshtatje me situatën e kriminalitetit në vend;
3. Pastrimin e Policisë së Shtetit nga personat me lidhje kriminale, nëpërmjet një procesi ligjor, transparent dhe të besueshëm;
4. Do të përmirësojmë trajtimin financiar të punonjësve të rendit dhe sigurisë, duke rritur pagën në masën 50%;

Në funksion të Sigurisë Kombëtare:

1. Prioritet do të jetë zhvillimi i partneriteteve strategjike me vendet e aleancës në vlerësimin e përbashkët të rreziqeve dhe kërcënimeve të hapësirës Euro-Atlantike;
2. Themelimi i Komandës së Mbrojtjes Kibernetike, e cila ka përgjegjësi për të garantuar funksionimin e infrastrukturave kritike dhe sigurimin e hapësirës kibernetike të Forcave të Armatosura dhe të partnerëve tanë të NATO-s në Shqipëri;
3. Krijimi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare brenda vitit 2029, e cila do të jetë një agjenci e koordinimit të Sigurisë dhe inteligjencës;
4. Si firmëtar i integrimit në NATO, do të mbështes politikat e NATO-s duke rritur shpenzimet reale për mbrojtjen, në interes të sigurisë kombëtare;
5. Fuqizimi i kapaciteteve të mbrojtjes do të realizohet në ndërveprim me Kosovën dhe do të jetë udhërrëfyesi i forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes;
6. Do të mundësojmë përmes Reformës në Forcat e Armatosura shërbimin aktiv të të paktën 5000 djemve dhe vajzave për një periudhë kohore prej jo më pak se 4 vitesh. Gjatë kësaj kohe ata do të mund të studiojnë me shpenzimet e Forcave të Armatosura, të marrin profesion, si dhe të vazhdojnë të shërbejnë si rezervistë në Forcat e Armatosura deri në moshën 45 vjeçare.

#ShqipëriaMeritonMëShumë

Artikulli paraprakPër t’i futur thikën pas shpine Lulzim Bashës!
Artikulli tjetërKonsumimi i ushqimeve të përpunuara, ja sëmundjet që mund të shfaqen dhe kujdesi që duhet të tregoni